PS: Kryeministri gënjeu, ekspozita, u ble nga pushtetarët, jo pronarët

Tiranë, 18 shtator, NOA Trualli i ish ekspozitës nuk është blerë nga pronarët, por nga pushtetarët.
Kështu deklaroi sot nga selia rozë, deputeti Eduart Shalsi, i cili ka vazhduar akuzat e selisë rozë lidhur me privatizimin e ish ekspozitës Shqipëria sot, duke deklaruar se kryeministri Sali Berisha ka gënjyer në deklaratat e tij në një emision televiziv.
Deputeti Shalsi deklaroi në një konferencë për shtyp se Ndërkohë që Genc Ruli ka dështuar ti përgjigjet pyetjeve të ngritura në lidhje me privatizmin e ish-Ekspozitës Shqipëria sot, nuk mund të mos ndërhynte për të mbrojtur këtë aferë edhe kryeministri Sali Berisha, i cili vetëm 2 ditë më parë, në emisionin Opinion, tha se Ligji e ka të qartë si drita e diellit, nëse 70% e sipërfaqes është pronë private 30% automatikisht i shitet pronarit. Automatikisht! Ky ligj është votuar nga socialistët.
Duke iu referuar kësaj deklarate të kryeministrit, zoti Shalsi theksoi se edhe në këtë rast kryeministri gënjeu rëndë, sepse e vërteta është krejt ndryshe, nuk është qeveria socialiste që e ka ndryshuar, por është pikërisht Sali Berisha, ai që e ka ndryshuar nga 80 në 70 %.
Sipas Shalsit privatizimi i ish ekspozitës nuk do të mund të kryhej me ligjin e vjetër ndaj duhej të ndryshohej ky raport, pikërisht aq sa është trualli i ish ekspozitës 70 %.
Deputeti socialist ka evidentuar para kamerave vendimet e Këshillit të Ministrave, njëri i vitit 2003, i cili thotë tekstualisht, Kur sipërfaqja e tokës ish pronë private shtrihet në mbi 80% të të gjithë tokës në objekt, e drejta e parablerjes shtrihet në të gjithë objektin.
Ndërsa dokumenti tjetër i 11 tetorit të vitit 2006 thotë se kur sipërfaqja e tokës, pronë e ish pronarëve shtrihet në mbi 70%, të sipërfaqes së truallit në objekt e drejta e parablerjes, shtrihet në të gjithë objektin, një vendim që sipas Shalsit shërben si mbështetje për të justifikuar gllabërimin e 2900 metrave katrorë truall publik me një çmim 3 herë më të lirë se në zonat përreth.
Kjo është e vërteta lakuriqe që tregon se si ky kryeministër gënjeu! Përse ndryshuan me vendimin qeverie, nga shkurti në nëntor çmimet e trojeve përballë Ekspozitës, në krah të Ekspozitës, dhe pas Ekspozitës, dhe tek Ekspozita mbeti i pandryshuar?, nënvizoi deputeti Shalsi.
Ai tha se këtë truall e bënte të veçantë vetëm arsyeja se blerësit e tij ishin jo pronarët, por pushtetarët, ndaj ai truall u shit tri herë më lirë se trojet përreth tij.
Berisha vuri një administratë të tërë në funksion të seksereve. Kjo është arsyeja pse kërkon të mbulojë veprimet dhe vendimet e qeverisë së tij, në shërbim të interesave personale të këtyre njerëzve dhe jo në interesin publik, siguroi në fund të deklaratës së tij, deputeti Eduart Shalsi.
mit/NOA