E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Nëse LSI mbështet qëndrimin e PS, të mbrojë e votojë propozimin në kuvend

Tiranë, 18 shtator, NOA Pas reagimit përshëndetës të LSI-së, lidhur me deklaratën e një dite më parë të bërë nga sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Gramoz Ruçi, se opozita do ti drejtohet Komisionit të Venecias, selia rozë deklaroi se nëse LSI mbështet qëndrimin e PS-së le ta votojë propozimin në fjalë në kuvend.

Nëse LSI vërtet e mbështet këtë qëndrim të PS, pra hapjen e kutive të materialeve zgjedhore ndërkohë që për fletët e votimit pritet opinioni i Komisionit të Venecias, atëherë le ta mbrojë dhe ta votojë këtë propozim në Kuvend, tha deputetja socialiste, Vasilika Hysi.

Sipas saj është e pakuptueshme përshëndetja e LSI-së, përmes sekretarit të Përgjithshëm Luan Rama, për një propozim që nuk doli sot, por është bërë publik që mot, tha deputetja Hysi.

Zonja Hysi tha sakaq se Qëndrimi i PS-së dhe i kryetarit të saj, për hapjen e kutive të materialeve zgjedhore ndërkohë që për fletët e votimit të pritet opinioni i Komisionit të Venecias, është një qëndrim i përsëritur dhe i shprehur publikisht qysh në vizitën e delegacionit të Këshillit të Europës në Tiranë.

Andaj sipas deputetes Hysi, I vetmi njeri që ende sot nuk e ka pranuar këtë propozim mbetet Sali Berisha.

Deputetja socialiste garantoi se Partia Socialiste është e gatshme ta fillojë që sot hetimin e zgjedhjeve nëse komisionit parlamentar hetimor i vihen në dispozicion për hetim kutitë e materialeve zgjedhore, ndërkohë që për fletët e votimit të pritet opinioni i Komisionit të Venecias.

Por, deputetja Vasilika Hysi, ripërsëriti në këtë kontekst hetimi se asgjësimi apo djegia e fletëve të votimit, do të ishte djegia e çdo ure bashkëpunimi përfshirë këtu edhe reformën zgjedhore.

mit/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›