Ndërtuesit: Tatimet gabojnë me falimentin
Hebovija kundërshton mënyrën se si veprojnë tatimet. "Kompanitë mund të jenë me humbje sepse po investojnë"
TIRANË- Dërgimi i 27 subjekteve tregtare në gjykatë nga Tatimet duke kërkuar fillimin e procedurave të falimentimit është shoqëruar me shqetësim ndër komunitetin e biznesit.
Ilir Hebovija, nëndrejtor i Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, sqaron se falimentimi është një proces normal në ekonominë e tregut, ndërsa mënyra se si Drejtoria e përgjithshme e Tatimeve veproi duke publikuar emrat e kompanive pa bërë asnjë verifikim paraprak ishte e gabuar.
"Nëse do merrej si veçori e shkëputur ky mund të quhej një veprim i drejtë, por sipas mendimit tonë ai duhet të ishte shumë më i studiuar dhe më i matur. Paraprakisht administrata tatimore duhej të shqyrtonte me shumë kujdes situatën e çdo shoqërie për të cilat do të kërkohej falimenti", - tha ai.
Më tej, duke analizuar zhvillimet me të fundit në lidhje me këtë çështje Hebovija sqaron se, përveç kërkesës për falimentim të shoqërive që kanë detyrime tatimore të papaguara prej shumë kohësh, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka kërkuar edhe falimentimin e shoqërive që kanë rezultuar me humbje gjatë aktivitetit të tyre.
"Sipas legjislacionit fiskal, administrata tatimore mund të kërkojë në gjykatë falimentimin e shoqërive tregtare jo vetëm për mos pagimin e detyrimeve tatimore por edhe për faktin se ato kanë rezultuar me humbje për një periudhe kohe prej më shumë se 3 vitesh në vazhdim.
Pikërisht këtu është gabimi i rëndë i tatimeve. Përveç kërkesës për falimentim të shoqërive që kanë detyrime tatimore të papaguara prej shumë kohësh, ato kanë kërkuar edhe falimentimin e shoqërive që kanë rezultuar me humbje", - shpjegoi ai duke shtuar se një gjë e tillë është totalisht e padrejte, pasi të rezultosh me humbje në ekonominë e tregut është një praktikë normale e diktuar nga rrethana nga më të ndryshmet.
"Bazuar në ligj, tha ai, administrata tatimore duhet të kërkojë falimentimin kryesisht për shoqëritë që kanë vite të cilat nuk kanë shlyer detyrimet, por në asnjë rast shoqëritë që rezultojnë me humbje.
Më tej, nëndrejtori i Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, shpjegon se një kompani mund të dalë me humbje për një periudhë të caktuar pasi mund të jetë ende duke investuar.
"Për shembull një shoqëri që merr përsipër të ndërtojë një HEC, jo vetëm gjatë fazës së ndërtimit, e cila mund të zgjasë mbi pesë vjet, por edhe vitet e para gjatë shfrytëzimit mund të rezultojë me humbje. Shoqëritë e kërkimit të naftës gjithashtu, për shumë vite të fillimit janë me humbje.
Po ashtu, një shoqëri që ka vendosur të investojë në prodhim duke ndërtuar një fabrike apo një impiant prodhues, në vitet e para, që përfshijnë fazën e ndërtimit dhe të prodhimit mund te rezultojë me humbje për më shumë se tre vjet",- sqaron ai.
Nisur nga kjo, sipas Hebovisë, i takon administratës tatimore që të shqyrtojë rast pas rasti gjendjen e shoqërive tregtare për të cilat kërkon fillimin e procedurave të falimentimit.
Në fillim të javës Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, publikoi në faqen zyrtare të saj emrat e 27 subjekteve tregtare, për të cilat i ka kërkuar gjykatës që të fillojë procedurat e falimentimit.
Ky hap u hodh pas një udhëzimi në kundërshtim me ligjin për "Procedurat Tatimore" nga Ministria e Financave. Sipas këtij udhëzimi, falimenti kërkohet për të gjitha ato kompani veprimtaria e të cilave ka rezultuar me humbje për tre vite rresht, ndërkohë që ligji shprehet krejt ndryshe.
Sipas ligjit për "Procedurat Tatimore", administrata tatimore i kërkon gjykatës të shqyrtojë falimentin e kompanive, të cilat për tre vite rresht kanë shënuar humbje të kapitaleve të tyre. Pra që nuk munden më të shlyejnë më detyrimet që kanë ndaj shtetit apo të tretëve.
---------------------------------------------------------------
Minierat, ne një qendër të vetme
TIRANË- Të gjitha projektet që kanë të bëjnë me sipërmarrje në sektorin minerar në Shqipëri do të shqyrtohen nga një qendër e posaçme, e cila do të funksionojë në formatin "Qendër me një ndalesë të vetme". Zëvendës ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Eno Bozdo, theksoi se tashmë puna për ngritjen e saj ka filluar dhe se bashkë me Qendrën Kombëtare për Aplikimet Energjetike (QKAE), Shqipëria do të ofrojë më shumë ndaj bizneseve duke reduktuar kohën e aplikimit.
"Me ngritjen e këtyre dy qendrave, Shqipëria bëhet ndër vendet që ofron shërbime të cilat nëpërmjet kësaj praktike, i reduktohet ndjeshëm koha, kostot si dhe zbatohen praktika të niveleve shumë të larta për biznesin ", - tha Bozdo.
Deklaratat e zëvendës ministrit Bozdo u bënë gjatë një takimi me përfaqësues të biznesit ku u diskutua në lidhje me veprimtarinë e Qendrës Kombëtare të Licencave.
Një javë më parë, Këshilli i Ministrave i hapi rrugën ngritjes së Qendrës Kombëtare për Aplikimet Energjetike, e cila do të luajë rolin e një institucioni bashkërendues dhe lehtësues, për procedurat e marrjes së lejeve ose të autorizimeve të nevojshme për ngritjen e të gjitha llojeve të projekteve, në fushën e energjisë elektrike në vend.
Ndër funksione kryesore të QKAE-së, do të jetë lehtësimi i procesit të lëshimit të licencave, lejeve, autorizimeve apo të akteve të tjera administrative, për të gjitha llojet e projekteve, në fushën e energjisë elektrike. E njëjta procedurë do të ndiqet edhe pas ngritjes së qendrës për aplikimet në fushën minerare.