E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-LSI, akuza për plagjiaturë programesh



PS-LSI akuzojnë njëra-tjetrën për plagjiaturë të programeve elektorale. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, të dyja partitë e kanë nisur me shpalosjen e ideve të tyre për bujqësinë e që në hapin e parë sulmojë njëra-tjetrën për vjedhje idesh. Një ditë pas konferencës së bujqësisë që zhvilloi kreu i PS-së, Rama, për bujqësinë e ku dha disa ide se si mendon të zgjidhë problemet në këtë fushë, Lëvizja Socialiste për Integrim akuzoi PS-në se i ka vjedhur idetë dhe se po imiton lëvizjet e kësaj partie. I menjëhershëm ka qenë reagimi i PS-së. Nënsekretari për programin, Ervin Bushati, tha se PS-ja ka idetë e veta dhe se ka dy vjet që po punon për të arritur tek zgjidhja. Zyrtarisht, PS-ja nuk ka nisur ende të zbardhë programin qeverisës, ndaj LSI-ja nxitoi të përfitonte duke shpallur disa shtylla të propozimeve të saj. Madje nxitoi edhe të zhvillonte konferencën për bujqësinë, një ndër pikat kryesore e, si rezultat, çdo hap i mundshëm i socialistëve do të dukej i vonuar.

Akuzat

Sekretari i përgjithshëm i LSI-së komentoi takimin e Ramës dy ditë më parë në Lushnjë. Sipas tij, deklaratat e Ramës në këtë qytet nuk janë ndonjë e re,

sepse prezantimin e parë publik për bujqësinë e ka bërë LSI-ja. “Por, si duket, nguti plagjiator, kopjues, që sapo një aktor politik bën një hap të madh përpara, përpiqen ta imitojnë nga prapa apo ta kopjojnë, ne këtë zell e kemi parë dhe pak orë pas asaj darke, kur njerëz që nuk kanë asnjë lidhje fare me procesin dolën dhe belbëzuan gjëra për këtë çështje”, - tha Vasili. Me tone ironike, numri dy i LSI-së shtoi: “Do t’u lutemi të bëjnë zemrën gur dhe të mos vazhdojnë të kopjojnë në mënyrë kaq pa gusto dhe pa shije, sepse kjo është një gjë që u bën dëm atyre dhe jo shqiptarëve”. Ai tha se PS-ja duhet të japë shpjegime para shqiptarëve për programin që do të kishte gati që në muajin shtator të 2008-ës. Ndërsa duke iu referuar G99-ës, që u kthye në një parti politike, Vasili tha se duhet t’i japin fund kopjeve së bashku me PS-në. “Dhe t’i japin fund ata dhe ca të tjerë, partira të reja që kanë lindur, që duan të lindin dhe janë në procesin e ngjizjes së tyre parapolitike shoqërore, që të prodhojnë ide e të mos vazhdojnë të gjallojnë mbi kopjimin e të tjerëve”, - deklaroi ai. Ndërsa pak orë më vonë, në një deklarim të posaçëm për problemet e bujqësisë, nënsekretari për programin në PS rezervoi një përgjigje për akuzat e LSI-së. Bushati tha se idetë e PS-së për këtë fushë janë unike, të sajat dhe rezultat i një pune dyvjeçare në parti dhe në takime me njerëzit. “Ne kemi dy vjet që merremi me fshatin dhe Iliri ka një vit që merret me ne. E gjykojnë vetë njerëzit se kush e ka mendjen tek punët e Shqipërisë e kush e ka mendjen tek punët e shtëpisë”, - tha Bushati. Fushata elektorale për të majtët tashmë ka nisur, por mosmarrëveshjet mes tyre duket se do t’u hanë një pjesë të mirë të energjisë, duke përsëritur edhe një herë fushatën e 2005-ës.

LSI-ja paralajmëron votën kundër buxhetit të bashkisë

Lëvizja Socialiste për Integrim paralajmëroi dje se do të votojë sërish kundër buxhetit të bashkisë për vitin 2009. Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Petrit Vasili, tha se Bashkia e Tiranës vazhdon ende të mos reflektojë dhe të mos bëjë transparencë për miliona euro. “Këshilltarët e LSI-së kanë votuar kundër modelit të bunker bashkisë së kryetarit të Bashkisë së Tiranës që refuzon të bashkëpunojë dhe të bëjë transparencën e parave, duke përbuzur mundin, djersën dhe sakrificat e panumërta të qytetarëve që paguajnë taksat dhe në këtë mënyrë këshilltarët e LSI-së nuk mund të lejojnë që këta miliarda lekë të shpërdorohen me arrogancë, pa transparencë dhe në mënyrë korruptive”, - tha Vasili. Sipas Vasilit, kryetari Bashkisë së Tiranës refuzon të komunikojë me këshilltarët e bashkisë, refuzon të bëjë transparencën dhe të sqarojë se ku do të përdoren dhe si do të përdoren 19 milionë dollarë investime që janë më të mëdha se të gjithë investime që marrin dhjetëra bashki të marra së bashku.

Referuar përplasjeve dhe akuzave për buxhetin e bashkive të tjera në rrethe, Vasili theksoi se s’ka asnjë lidhje me qëndrimet politike sikundër thonë socialistët. “Ne kemi votuar buxhetin e bashkisë edhe në Bashkinë e Beratit dhe Elbasanit etj., ku kryetarët janë socialistë dhe vota e LSI-së ka qenë ajo që ka bërë të mundur kalimin e këtij buxheti, kurse në Tiranë, kryeproblemi i buxhetit është vetë kryetari i bashkisë, jo bashkëpunues, refuzues, përbuzës i këshillit bashkiak”, - deklaroi Vasili.

Bushati: Qeveria fsheh papunësinë në fshat

Nënsekretari për programin në PS, Ervin Bushati, akuzoi dje qeverinë se fsheh papunësinë e vërtetë në fshat. Sipas tij, papunësia është problemi madhor i shqiptarëve, kjo edhe kur pothuaj gjysma e atyre të aftë për punë kanë emigruar jashtë vendit. “Qeveria “Berisha” nuk ka bërë asgjë për të ulur papunësinë në fshat: Asnjë program a nismë nuk ka ndërmarrë kjo qeveri për të punësuar zonën rurale. Në fshat papunësia është akoma më kërcënuese sepse shumë pak njerëz e kanë mundësinë të punësohen pranë zonave rurale në të cilat jetojnë, pavarësisht shifrave të pretenduara nga qeveria”, - shtoi Bushati. Më tej, ai nënvizoi se ndikimi i papunësisë në jetën e familjeve në fshat shkakton një gjendje ekonomike të rënduar dhe probleme sociale nga më dramatiket. “Papunësia është problemi real që rrënon jetën në fshat, sepse në këto zona mundësitë për të siguruar një jetesë dinjitoze nëpërmjet punës së ndershme janë shumë të rralla”, - tha ai.

Milo: Dosjet, shkelje flagrante e Kushtetutës

Krerë të opozitës vazhdojnë të shprehin shqetësim për ligjin e lustracionit të cilin PS-ja e ankimoi në Gjykatën Kushtetuese. Paskal Milo i Demokracisë Sociale e vlerësoi dje këtë ligj si një përpjekje të Kryeministrit Berisha për të kontrolluar institucionet e drejtësisë. “Duke qenë se nuk arriti të bënte ato të ashtuquajtura reforma që kishte në kokë dhe t’i kontrollonte gjykatat dhe prokuroritë, përmes ligjit përpiqet që t’u imponohet përmes forcës. Pse këmbëngul tani për ligjin e dosjeve? Do të nxjerrë jashtë funksionit Gjykatën Kushtetuese, sepse Gjykata Kushtetuese është e bindur që ligji i dosjeve që po e dënon e gjithë bota nuk mund të kalojë, është antikushtetues. Ne e kemi çuar dje në Gjykatën e Lartë ankimimin për këtë dosje, sepse është shkelje flagrante e Kushtetutës”, - tha Milo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›