Sot shpallen 180 fituesit e kompensimit të pronave
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave pritet të shpallë sot fituesit e kompensimit financiar. Drejtori i AKKP-së, Evlis Cefa, ka bërë të ditur për gazetën se pritet të fitojnë rreth 180 persona. Në AKKP janë paraqitur 740 kërkesa. Subjektet që kanë më shumë mundësi të përfitojnë, do të jenë ata që kanë përfituar njohjen e pronës në vitin 1993, por që nuk kanë marrë kompensim në një nga format e parashikuara nga ligji më parë. Përfituesit e këtij viti do të përfitojnë kompensim sipas procedurës së vitit të kaluar. Sasia e truallit deri në 200 metra dhe një renditje sipas datës kronologjike të dhënies së vendimit, do të jenë dy kriteret kryesore. Kriteret e përfitimit janë që së pari, personi ose subjekti i shpronësuar të mos ketë përfituar më parë; së dyti, prona të jetë truall. Në raste të veçanta do të ketë ndërhyrje me ndonjë ndryshim të renditjes kronologjike, por kjo do të bëhet vetëm duke pasur parasysh kërkesat.