E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-LSI, boshllëku në parlament dhe mercenarët e zgjedhur kuturu për deputetë

DJE-NE-KUVENDORET2-1024x685Nga Pëllumb Kulla

DITA: Si e shikoni aleancën PS- LSI dhe a është aleanca më e mirë për të mundur Berishën në zgjedhjet e 23 qershorit?

Ashtu qoftë! Por druhem të jem i sigurt dhe sidomos më trishton shpallja e fitores dhe nxjerrja në shitje e lëkurës së ariut pa e vrarë akoma. Edhe unë e përjashtoj qibrën, por nuk jam edhe për shpërfilljen totale të saj dhe as për harrimin total Situata të caktuara në politikë martojnë dy anë të pamartueshme dhe historia jep shembuj. Por këtë radhë, ky është një shembull origjinal shqiptar.

Uroj të ketë sukses edhe pse mendoja se me një votim- numërim normal, ppozita do ta mposhtte Berishën ashtu tok me ortakun e tij. Pra nuk do të ish nevoja që ajo ta blinte fitoren me një kosto kaq të lartë.

Fillimisht thirrjet që i bëheshin Metës, ishin më të kapërdishme edhe nga ata të ashtuquajturit moralistë puro. Meta ftohej që të linte qeverinë që të realizohej rënia e saj. Ajo duhet të binte ngaqë ish qeveria e gjahut të votave, e vjedhjeve të sigurta të tyre. Një qeveri teknike do siguronte një votim nga më normalët dhe transparentët të bërë ndonjëherë.  Meta erdhi por kjo nuk ndodhi. E nuk ndodhi për arsye se PS ka disa gjynahe që i ka të vetat, pa përzierë LSI-në. 1. Amendamentet famëkeqe të 2008 e shpëtuan qeverinë me veç 71 vota! 2. Lëvizja e LSI-stave kundër qeverisë la boshllëkun në parlament, por atë e mbushën menjëherë mercenarët socialistët të zgjedhur kuturu për deputetë. Ata kurrë nuk e kanë patur në shënjestër Berishën dhe as ideal shpëtimin e vendit nga tirania postkomuniste. Ata tani urrejnë Ramën më shumë se Berishën dhe duket se e kanë urryer shefin e tyre kështu gjatë gjithë legjislaturës. Se edhe ata janë brenda standardit moral që na kërkohet ta pranojmë, apo jo?

Votat e qershorit pra, janë ende pre e kthetrave të Berishës. Dhe nëse deri tani Opozita i trembej kësaj, çfarë gogoli na qenka ky Meta, që thirret për ta trembur Berishën, që të mos hyjë të bëjë kërdinë në bostanin e votave?! Përse Berisha mund ti vidhte ato kur qe tok me Metën dhe nuk do ti vjedhë tani pa të?! Bile tani fitorja me cdo kusht kundër të dy të majtëve do ti sjellë më shumë gëzim në triumf kryeministrit aktual. A e përfytyroni sa i madh do të ishte ngadhnjimi i tij. dhe sa e hidhur humbja e radhës e kësaj Opozite allasoj?

Por kjo do të ishte vetëm humbja e Ramës! Se nga mënyra se si u nda Berisha me Metën ky i dyti e ka të hapur sëkatrash atë portën përballë KQ. E pastaj pse të mos shkojë e tu ngjitet shkallëve?! Në Shqipërinë e kultit të besës, erdhi dita që për kurvëri politike nuk dënojnë më njeri. Meta kthehet fare lehtë në kolltukun ende të paftohur të koalicionit të mëparshëm. Dhe nuk do të kthehet se ka ndonjë interes të ngushtë. Ai kthehet atje se do që të shpejtojë integrimin e vendit për në Europë! Dhe për këtë piksynim ekstramadhor, Metën nuk e ze gjumi! As Berishën!

Për Ramën, më 24 qershor, nuk besoj të shtrohej më kjo pyetje

Ndaj lëvizja e Ramës merr një përgjegjësi të madhe. Po e pranojmë moralin kutërbues dhe le ta shohim në sy arritjen e synimeve praktike. A nuk do të ishte më e leverdishme të punohej që të bashkoheshin në koalicion Topi me Spahiun?.  Përgjegjësia bëhet më e rëndë tek sheh deziluzionin e  klubit të tij opozitar. Dhe për këtë, më emblematik ishte reagimi i drejtë i profesor Gjinushit. Masa e socialistëve të thjeshtë e ka vështirë të adaptohet në këtë rebus të ri politik, se ajo është ende qibare, siç janë qibarë njerëzit e thjeshtë që në këtë teatrin tranzicional shohin të puthen, të kafshohen e prapë të puthen pambarimisht individë, që e pikturojnë njëri tjetrin herë djaj e herë shenjtër. Unë nuk jam tërësisht me mënyrën si e përjeton këtë ngjarje gazetari luftarak Mero Baze, por e pyes veten dhe do të vazhdoj ta pyes akoma deri sa tia gjej përgjigjen e saktë, se kush në këto vite ka investuar më shumë për frymëzimin opozitar, Edi Rama apo pronari i gazetës TemA?

Dhe më lejoni më së fundi të pranoj se me gjithë arsimin e lartë, unë nuk jam në gjendje të përkufizoj tek ne të majtët dhe të djathtët. Unë nuk shoh dallim mes partive të formatuara nga Alia kur shkriu partinë e tij. Dallojnë nga emrat në to, por unë, i penguar nga injoranca ime, nuk arrij të shquaj ndryshimin në filozofinë që i mban në këmbë. Këto termat i majtë, i djathtë bëjnë çështë e mundur  ta paraqesin të fisme edhe politikën që bëhet në vendin tonë. Por këto terminologji janë si ca thika e pirunj të praruar, shtruar bukur në një tryezë të bardhë gostie, ku thikat e pirunjtë nuk duhen hiç, pasi darkuesit e shqyejnë mishin me duar e gjella u kullon nëpër  gishtërinj.

Këto ishin thjesht ca mendime të rrëmujshme, por do të më vijë keq të dyshohet se sa shumë, edhe kundër fjalëve të mia e parashikimit tim të hidhur, – uroj që kjo manovër të japë rezultat e Sali Berisha të largohet nga horizonti i shqiptarëve!

*DITA

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›