E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-LSI, një pension i sigurt për Berishën

Ervin Bushati/ Kryetar i PS-së, njësia nr. 8

-Objektivat e Partisë Socialiste janë të qarta dhe të bëra publike për të gjithë qytetarët shqiptarë. Zgjedhjet e qershorit 2013 do të jenë pasaporta e lirisë për shqiptarët. Në 23 qershor ne do të fitojmë me ndihmën e elektoratit tonë dhe besimit që ata na kanë dhënë. Ne do të kthejmë faqen e historisë dhe të vijmë në pushtet me një vizion të ri, me objektiva të qarta ku qytetarët do të jenë primarët. Ne do të punojmë për to dhe jo për xhepat tanë, ashtu siç ka bërë e djathta në këto 8 vite qeverisje. Rrënoi qytetarët dhe pasuroi deputetët  dhe familjet e tyre. Ndryshe nga viti 2009 ne nuk do të lejojmë që votat të vidhen. Qytetarët janë të zhgënjyer nga kjo qeverisje e keqe dhe kërkojnë ndryshim, kërkojnë një vizion të ri. Ne jemi aty për të rilindur shpresën e shqiptarëve dhe për t`i dhënë fund vuajtjeve dhe korrupsionit.  

Çdo parti ka elektoratin dhe simpatizantët e vet. Por ne si PS, jemi të sigurt dhe të vendosur që 23 qershori do jetë dita ku qytetarët do japin votën e tyre për Rilindjen e vendit. Rezultati që do të arrijë Lëvizja Socialiste për Integrim nuk do ndikojë në votat që ne do te marrim. Por të dyja, si parti të majta, do të ndryshojmë rrjedhën e historisë dhe do ta çojmë Berishën drejt `karriges` së pensionit. Në kuadrin e procesit zgjedhor që po afrohet shihet një lojë demagogjike nga kryeministri lidhur me votuesit që votojnë për herë të parë. Statistika të sakta për numrin e votuesve të rinj, të paktën për qarkun e Tiranës nuk ka. Por është shumë i rëndësishëm sensibilizimi i të rinjve që të votojnë, por edhe kujt duhet t`ua delegojnë votën. Të rinjtë duhet të shohin botën me vizion. Ata janë e ardhmja e vendit dhe duhet të mësohen me frymën e një qeverisjeje serioze dhe të së drejtës. Votat e tyre patjetër që janë te rëndësishme, pasi janë me qindra të rinj që votojnë për herë të parë dhe qindra vota që u shtohen kutive të votimit. Këta të rinj kërkojnë një të ardhme më të mirë, kërkojnë të arsimohen, të punësohen të kenë një jetë më të mirë. Në njësinë nr. 8 në kryeqytet, që unë përfaqësoj janë rreth 2700 votues të rinj, që do të thotë 2700 vota më tepër do të hidhen në kutitë e votimit në këtë njësi. 2700 votues që kërkojnë një vizion të qartë për të ardhmen e tyre. Ne jemi këtu që këto të rinj të kenë një të ardhme më të mirë se ajo që prindërit e tyre kanë patur këto vite. Qeveria di vetëm të presë shirita edhe kur rrugët janë gropa-gropa. Projektbuxheti 2013 ka ardhur me premtime bosh. Mund të tregojmë raste pafund ku rrugët në qytetin e Tiranës nuk duket se po rregullohen. Kush njeh Tiranën sheh vetëm rrugë të paasfaltuara, të pandriçuara. Bashkia e Tiranës na vjen me premtime të vjetra dhe premtime boshe, për të mbuluar atë që nuk di, ndaj dhe nuk e bën dot me punët publike. Sot njerëzit ndihen të lodhur nga politika, nga hallet e përditshme, pasiguria, papunësia, ekonomia në rrënim, pamundësia për të gjetur vetveten e shpalosur vlerat e tyre të vërteta.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›