E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, Leskaj: Berisha mungesë vullneti për zgjidhjen e krizës

TIRANE- Partia Socialiste ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Berisha duke theksuar se ndërsa opozita pret një përgjigje serioze për zgjidhjen e ngërcit politik, kreu i qeverisë fshihet pas gjykatave.

Në një komunikim për mediat, deputetja socialiste Valentina Leskaj tha se reagimi i Kryeministrit dhe refuzimi i tij, për të dhënë një përgjigje që do të zgjidhte krizën, janë prova e qartë e mungesës së vullnetit politik për një hetim të plotë e të pakushtëzuar të zgjedhjeve të Qershorit.

“Sot Kryeministri u fsheh përsëri pas gjykatave për të justifikuar mungesën e vullnetit për zgjidhjen e krizës. Me qëndrimin refraktar e shpërfillës ndaj ofertës vullnetmirë, serioze e ligjore të PS, me përpjekjen e sforcuar, për ta futur nismën në rutinën e kalendarit të parlamentit, kryeministri ka kontribuar në radikalizimin e situatës”, theksoi Leskaj .

Ndërkaq socialistët nënvizojnë se zgjidhja e vetme mbetet transparenca e plotë e zgjedhjeve ndërsa në të kundërt , sic tha Leskaj, qeveria do të duhet të përballet me popullin opozitar që do të ngrihet sërish në protesta në kërkim të hetimit të plotë të votave të hedhura më 28 qershor.

“Berisha të gjejë kurajon të përballet publikisht me të vërtetën për manipulimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, në rast të kundërt do të përballet me popullin opozitar”, u shpreh Leskaj.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›