E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Amendamentet në ligjin e SHISH, antikushtetuese

TIRANE- Partia Socialiste i ka cilësuar si antikushtetuese tentativat për ndryshimin në ligjin e SHISH, të propozuara nga maxhoranca. Në një analizë të plotë të projektligjit, deputeti i PS, Ilir Gjoni ka treguar me argumente pse tentativa për të ndryshuar ligjin aktual të SHISH është një përpjekje e rrezikshme antikushtetuese e antidemokratike.

“Projekt ligji, me disa amendamente për të ndryshuar ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror, është një përpjekje e radhës e Kryeministrit Berisha, për të uzurpuar për interesa politike dhe personale këtë shërbim. Ndryshimet e propozuara bien ndesh me ligje të tjera dhe sidomos me Kushtetutën. Këto, ndryshime, prekin katër nene thelbësore te ligjit aktual dhe konkretisht: detyrat e SHISH, ato të Drejtorit të tij, statusin e drejtuesve, si dhe bashkëpunimin e këtij shërbimi me ato partnere” – deklaroi deputeti socialist.

Sipas deputetit Gjoni, ky propozim e kompromenton figurën e kryeministrit, pasi duket sikur do të marrë rolin e drejtorit të SHISH.

“Ky propozim e komprometon rëndë pozitën e Kryeministrit, pasi ai kërkon të marrë kompetencat e Drejtorit të SHISH. Në realitet, përcaktimi i shërbimeve të huaja që do të jenë objekt i SHISH, është një produkt i natyrshëm i logjikës së qëndrimit të shërbimeve të huaja dhe shteteve përkatëse, ndaj vendit tonë. Nëse ato mbajnë qëndrime dhe kryejnë veprime që cenojnë sigurinë e vendit tonë, ato detyrimisht do të jenë objekte punë të SHISH. Kryeministri, nuk ka asnjë pengesë ligjore, që të realizojë kontrollin e këtij procesi” – sqaron Gjoni.

Gjoni sqaron se Berisha, duke u munduar të evitojë përplasjet me faktorët e brendshëm e të jashtëm dhe sidomos partnerët ndërkombëtarë, synon që ta kryej këtë akt në mënyrë të moderuar dhe “ligjore”, për të vendosur në krye të tij persona më të besuar, për të realizuar synimet e tij personale, politike.

“Vendosja e afatit të qëndrimit në detyrë prej pesë vjetësh, me të drejtë rizgjedhjeje edhe një herë, të drejtorit dhe Zëvendësdrejtorit të SHISH, tregon qëllimin e vetëm dhe të vërtetë të këtij projekt ligji, në plotësim të dëshirave të Z. Berisha. Ai edhe në bazë të ligjit aktual, i ka të gjitha të drejtat, për të ndërprerë qëndrimin në detyrë të Drejtorit të SHISH dhe zëvendësit të tij, pasi sipas nenit 4 ka shërbim, si institucion qendror, varet nga Kryetari i Këshillit të Ministrave. Po kështu janë të përcaktuara edhe rastet e largimit të drejtuesve nga detyra. Por z. Berisha, duke u munduar të evitojë përplasjet me faktorët e brendshëm e të jashtëm dhe sidomos partnerët ndërkombëtarë, synon që ta kryej këtë akt në mënyrë të moderuar dhe “ligjore”, për të vendosur në krye të tij persona më të besuar, për të realizuar synimet e tij personale, politike” – përfundoi Gjoni.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›