Borchardt: Përmbushni standardet, nëse doni viza
Realizimi i standardeve është kryefjala e çdo diplomati të huaj të akredituar në vendin tonë, kur shtrohet pyetja se kur shqiptarët do të kenë mundësi të lëvizin lirisht dhe të jenë pjesë e familjes së madhe europiane. Ky refren është përsëritur dje edhe nga ambasadori gjerman në Tiranë, Berndt Borchardt, i cili mori pjesë në një aktivitet të organizuar nga lëvizja "Mjaft!" për programin "Travel to Europe". Në mënyrë të drejtpërdrejtë, ambasadori Borchardt bëri thirrje që të vazhdohet me reformat. "Përmbushni standardet që të përfitoni liberalizim të vizave", u shpreh ambasadori. Ai theksoi më tej se "sinjali i Bashkimit Europian për Shqipërinë ishte mjaft i qartë, ndaj klasa politike duhet të ketë mirë parasysh se për të përfituar liberalizimin e vizave, duhen përmbushur standardet". Duke i kujtuar politikës shqiptare se BE-ja nuk "do t‘i mbyllë sytë" dhe nuk do të bëjë asnjë lëshim ndaj Shqipërisë nëse nuk plotësohen standardet e kërkuara, ambasadori gjerman deklaroi se "sinjali është i qartë: e gjithë çështja është përmbushja e standardeve". Ne jemi optimistë, u shpreh Borchardt, se do t‘i përmbushni këto standarde, ashtu siç bënë fqinjët që përfituan nga vendimi për liberalizimin e vizave. Ky optimizëm vjen nga fakti se ky proces ka filluar tashmë. Këtë deklaratë ambasadori gjerman e bëri në aktivitetin e lëvizjes "Mjaft!", i cili kishte të bënte me nisjen e fazës së tretë të programit "Travel to Europe", që zhvillohet në kuadër të sfidave të procesit të liberalizimit të vizave. Përfaqësuesi i lëvizjes "Mjaft!", gjatë fjalës së tij, duke dhënë informacion rreth këtij projekti, sqaroi se një nismë e tillë realizohet për të tretin vit radhazi me mbështetjen e Fondacionit Robert Bosch, Balkan Trust Fund dhe Ambasadës Gjermane në Shqipëri. Përfaqësuesi i "Mjaft!", Anduan Skënderi, në fjalën e tij nuk harroi të thumbojë politikën shqiptare dhe qeverinë për premtimet e pambajtura. "Pavarësisht premtimeve euforike të partive politike për liberalizimin e vizave, Shqipëria vazhdon të mbetet një periferi e Europës, dhe vendi i parë në Ballkan me refuzimin më të lartë të vizave", u shpreh ai. Me këtë nismë, theksoi ai, duam të dëshmojmë se status quo-ja e politikës shqiptare nuk mund të kufizojë shkëmbimin e kulturës dhe dijes, nuk mund të frenojë liritë e më të rinjve të një kombi brenda kufijve formalë të tranzicionit. Në vlerësimin e lëvizjes "Mjaft!", këta të rinj që sot kanë mundësinë të vizitojnë Europën e premtuar, janë vetëm një kampion nga potenciali prej qindra mijërash që aspirojnë ndryshimin dhe integrimin e vërtetë - një bashkësi vlerash të cilën nuk mundet as ta përmbajë e as ta kufizojë një dokument identifikimi. "Këta të rinj janë prova se shqiptarët nuk janë rezidentë të një getoje në portat e BE-së, sepse ata po përmbushin çdo kriter e standard ku politika shqiptare dështon sistematikisht", tha Skënderi. Drejtuesit e kësaj lëvizjeje shprehën sakaq bindjen se së shpejti do të vijë dita kur falë angazhimeve të shoqërisë shqiptare, programe të tilla do të ekzistojnë vetëm në kujtesën e atyre shtetasve që pa viza do të lëvizin të lirë brenda hapësirës së Europës së Bashkuar.