E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Ndjekje penale krerëve të SHISH

TIRANE - Partia Socialiste kërkoi dje ndjekje penale për drejtuesit e Shërbimit Informativ të Shtetit, referuar deklaratës së dy ditëve më parë të Inspektorit të Përgjithshëm të shërbimeve sekrete, Sajmir Kodra, se ky institucion mund të ketë abuzuar me përgjimet. 

“Nëse ne do të ecim me filozofinë se mund të shkelim ligjin sa herë të duam për përgjimet dhe komunikimet elektronike se kjo është në të mirë të punës atëherë besoj se ka indicie të mjaftueshme për të filluar një çështje penale sepse shkelja e përgjimeve të komunikimeve elektronike nuk mund të ndodhë për shkak të gabimeve teknike. Nëse është deklaruar, dhe është deklaruar nga inspektori i përgjithshëm i kryeministrit, nuk është deklaruar nga njeri dosido. Kemi indicie të mjaftueshme për të nisur një çështje penale sepse janë përgjuar privatësia e njeërzve duke tejkaluar autoritetin e institucioneve”, - deklaroi në emër të selisë rozë, deputeti i PS, Gazmir Bizhga. 

Ai e shprehu këtë qëndrim në mbledhjen e djeshme të komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare, ku u diskutuan ndryshimet e propozuara nga qeveria në ligjin për përgjimet e telekomunikimeve. I pranishëm në këtë mbledhje ka qenë edhe Drejtori i Drejtorisë së Përgjimeve në Prokurorinë e Përgjithshme, Thoma Jano, i cili e quajti, të padrejtë vendimin unanim të PS dhe PD për të rrëzuar ndryshimin ligjor për dhënë akses në përgjim dhe prokurive të rretheve pa marrë më parë lejen nga Prokuroria e Përgjithshme. “Mendojmë që kjo është e bazuar dhe nuk ka ndonjë shkleje të ligjit. Të gjitha prokuroritë të kenë mundësinë për të marr të dhënat në mënyrë të drejtpër drejtë nëse sot një prokuror i Prokurorisë vendore merr një vendim përgjimi, informacioni për çështjen që ai ka në hetim e merr nëpërmjet kësaj strukture të policisë gjyqtare që do të thotë nuk e merr në kohë reale, vendimet do të ekzekutohen përsëri në Prokurorinë e Përgjithshme, dhe prokurorisë vendore do t’i çohet vetëm një sinjal për çështjen që ai ka marr vendimin e përgjimit”, - tha mes të tjerash Jano. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›