PS: Orikumasit u rrahën për djalin e kryeministrit
'Sot jam këtu para jush për të denoncuar me forcë skandalin më të fundit korruptiv të Sali Berishës, djalit të tij, Shkëlzen Berishës, dhe sekserit të radhës, Rrahman Selmanllarit. - tha sot ne nje deklarate per shtyp, deputeti i PS, Sajmir Tahiri
'Banorët e Orikumit që protestonin për tokat e tyre, u rrahën, u gjakosën dhe u arrestuan, jo sepse policia e shtetit po mbronte një investitor të ndershëm, por sepse policia e qeverisë po mbronte investimin e radhës të familjes qeverisëse më të korruptuar në Ballkan.
Ky dokument tregon qartë se investitori që ka zaptuar tokat e banorëve në Orikum, nuk është një njeri çfarëdo, por është vetë Rrahman Selmanllari, sekseri më i ngushtë i Shkëlzen Berishës, djalit të Sali Berishës.
Rrahmani i Shkëlzenit të Saliut, ka vjedhur tokat e banorëve të Orikumit dhe ka përdorur pushtetin e kryetarit të FAMILJES për të siguruar të drejtën e investimit duke shtypur me dhunë protestën e tyre të ligjshme nëpërmjet policisë së shtetit. Është kjo arsyeja pse protestës së banorëve të vjedhur të Orikumit, policia e shtetit, tashmë e kthyer në një bandë private nga Lulëzim Basha, iu përgjigj me dhunën e shkopave të gomës për të mbrojtur biznesin e radhës të Rrahmanit, Shkëlzenit e Saliut.
Rrahman Selmanllari është njeriu që hodhi firmën me porosi e për llogari të Shkëlzen Berishës si përfaqësues i firmës fantazmë që bleu fishekët nga punishtja famëkeqe e Gërdecit, është njeriu që punësoi në Ambasadën Shqiptare në Romë shoferin që u kap duke transportuar drogë me targa diplomatike, pra është një ndër sekserët zyrtarë të Shkëlzen Sali Berishës.
Skandalet e njëpasnjëshme dëshmojnë si kurrë më parë se Sali Berisha, fëmijët e tij, dhe sekserët e familjes, kanë ngritur një rrjet mafioz që po zapton tokat e bregdetit dhe po plaçkit pasurinë kombëtare.
Argita në gjirin e Lalzit dhe Porto Romano, Jamarbër Malltezi, i shoqi i Argita Berishës dhe dhëndri i Sali Berishës, në Jalë e pothuajse gjithë bregdetin e Jugut, dhe së fundi Rrahmani i Shkëlzenit të Saliut në Orikum, janë dëshmi të mjaftueshme për të kuptuar se Sali Berisha dhe Familja e tij, po grabisin dita ditës Shqipërinë dhe Shqiptarët si kurrë s'ka ndodhur më parë në këtë vend.
Shqipëria gjendet sot me kryeministrin më ekzemplar në botë, familja e të cilit dyshohet publikisht për përfshirjen e saj në pothuajse të gjitha aferat korruptive që lidhin interesat e errëta të botës së krimit me qeverinë në pushtet dhe vetë babain e familjes.
Partia Socialiste do ta ndjekë këtë problem në çdo hap duke iu premtuar banorëve të Orikumit se nuk do lejojmë në asnjë mënyrë që korrupsioni i familjes së bashku me dhunën shtetërore, të grabisë përfundimisht tokën e tyre, e bashkë me të, të ardhmen e banorëve të Orikumit.
I bëjmë thirrje Sali Berishës dhe Ministrit karrigethyer të ndalin menjëherë çdo veprim të dhunshëm ndaj banorëve të Orikumit që protestojnë për tokën e vjedhur nga Familja.
I bëjmë thirrje Prokurorisë të fillojë menjëherë hetimin për këtë skandal, duke vënë para drejtësisë përgjegjësit e këtij skandali, pavarësisht postit të tyre apo gjendjes familjare. - perfundon deklarata e PS