E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusja që akuzon VIP-at e spektaklit

Që bota e spektaklit është shpesh e lidhur me atë të trafiqeve kjo nuk është një risi dhe detaje të këtyre lidhjeve shfaqen herë pas here në deklarata, intervista, salla gjykatash e madje edhe libra të veçantë të shkruar posaçërisht për këtë temë. Një i tillë është publikuar së fundi në Rusi dhe flet pikërisht për prapaskenat e errëta të botës së spektaklit rus. Autorja e librit është një vajzë që me hapin e saj të guximshëm ka bërë që të drithërohet industria e biznesit të spektaklit në vendin e madh. Emri i kësaj vajze është Ksenia Sobchak dhe të gjithëve në Rusi mbiemri i saj u kujton lidhjen që ajo ka me një njeri shumë të rëndësishëm. Ksenia është vajza e njërit prej mbështetësve dhe sponsorizuesve të parë politikë të Vladimir Putinit, aktualisht Kryeministër, ish-kryebashkiaku i Leningradit, Anatoly Sobchak. Në fillimet e saj, Ksenian për nga mënyra e të jetuarit dhe të veshurit e kishin pagëzuar me emrin “Paris Hiltoni i Rusisë”, por me kalimin e kohës dhe pak nga pak vajza nisi që të ndryshonte shumë më tepër se vetëm stilin e veshjes dhe mënyrën e të sjellit në publik. Nisi që të tërhiqej pak nga pak nga të shfaqurit nëpër diskoteka dhe frekuentimi i jetës së natës duke u shndërruar kështu në një vajzë me një moral shumë të përkorë që nuk ngjante fare me vajzën e mëparshme. Ndryshoi tërësisht edhe mënyrën e paraqitjes së jashtme që nga të krehurit dhe ngjyra e flokëve, nisi që të vishte rroba të denja për një vajzë normale, madje në këtë drejtim ajo pati edhe disa tentativa për të futur një modë të këndshme dhe serioze për të rinjtë rusë, madje ndryshoi edhe syzet dhe ngjyrën e buzëkuqit. Por Ksenia është shumë më tepër se një vajzë e babait të pasur. Me ndryshimin e saj tregoi se ka një vlerë shumë më të madhe njerëzore se trashëgimtarja e pasur amerikane me të cilën e krahasuan në fillimet e saj. E mbi të gjitha demonstroi se është jo vetëm me mend në kokë, por edhe e guximshme për të thënë atë që mendon edhe pse një gjë e tillë mund ta përballë me rreziqe. Në moshën 27-vjeçare konsiderohet si një nga biznesmenet më të suksesshme të vendit për sa i përket industrisë së spektaklit rus. Që nga viti 2004 drejton versionin rus të “Big Brother”, reality show më i përhapur në botë, por që në versionin rus ka në qendër të vëmendjes gjetjen e dashurisë mes konkurrentëve që jetojnë për disa muaj në një shtëpi që e ndërtojnë vetë nga e para. Veç kësaj ajo shkruan rubrika të ndryshme në të gjitha gazetat femërore të Rusisë duke filluar nga “Tatler” e deri te “GQ”, duke u përqendruar te psikologjia e adoleshentëve, moda, mënyra e jetesës, të ushqyerit dhe jeta afektive e të rinjve. është e kudondodhur me fotot e saj në të gjitha gazetat dhe revistat e thashethemeve dhe ka shkruar madje edhe një manual për ato vajza që duan të “gjuajnë” milionerët dhe të martohen me një të tillë. Personaliteti dhe shfaqja e saj në Rusi është aq ikonike dhe aq e kudondodhur sa një artist i famshëm rus i dedikoi pak vite më parë një ekspozitë fotografike dhe pikture në qendër të të cilës ishte Ksenia dhe jeta e saj shumëngjyrëshe. Madje, një nga karikaturistët më të mëdhenj rusë ka qenë bashkautor i librit të fundit të Ksenias në rolin e ilustruesit të bëmave për të cilat shkruhet në të. Ai është një libër që nuk këshillohet për t’u lexuar nga fëmijët nën 14 vjeç, dhe madje shënimi paralajmërues për një gjë të tillë shkruhet qartë edhe në kopertinën e tij. Titulli i tij është: “Enciklopedia e fatkëqijve” dhe në të flitet, ose më mirë u bëhet një ekspoze njerëzve të famshëm të spektaklit rus dhe mbi të gjitha të ashtuquajturve VIP-a dhe lidhjeve të tyre të fshehta dhe të pista me biznesin dhe politikën.

Për shembull Olga Rodionova, bashkëshortja e një bankieri shumë të pasur dhe të pushtetshëm rus që doli krejtësisht nudo në disa revista perëndimore është marrë në lojë në librin e Ksenias dhe jo vetëm në të, por më parë edhe në një emision televiziv. Madje, kjo sjellje bëri që gruaja e bankierit e inatosur ta çonte vajzën në gjyq për akuzat e fyerjes. Por ajo nuk është “bukuroshja” e vetme që ka ngritur akuza kundër 27-vjeçares së guximshme. Një prej tyre është edhe ish-balerina e parë e teatrit të baletit rus, e cila u pushua nga Bolshoi” i famshëm vetëm se shtoi disa gramë në peshë. Këtë të fundit Ksenia e ka akuzuar për “vjedhje” të të fejuarve, apo burrave të të tjerave. Por ndërkohë, në objektivin e “hidhur” të Ksenias janë edhe meshkujt. Për shembull Nikolai Baskov, këngëtar shumë i njohur i folkut i cili sipas Ksenias dhe librit të saj është shndërruar në një person të shtirur dhe pa pikën e gustos që e ka shndërruar profesionin e tij vetëm në një mjet për të bërë sa më shumë para. Apo marrim për shembull një politikan të ekstremit si Vladimir Zhirinovski, zëvendëskryeparlamentar. Ai është një nga të ftuarit e përhershëm, të emisioneve televizive ku diskutohen çështje të ndryshme dhe Ksenia e ka akuzuar për veprime në mënyrën e të sjellit. Në “rrjetën” e saj kanë rënë shumë njerëz të famshëm dhe modele ndërkombëtare ruse që bëjnë një jetë të kotë, me lidhje të dyshimta në vend që të japin modelet e duhura për njerëzit normalë, të cilët janë edhe konsumatorët e ekranit dhe gazetarëve dhe revistave.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›