E Diel, 1 Nëntor 2026

PS Policia te siguroje jeten e qytetareve

Shtimi i akteve kriminale ditët e fundit ka sjellë reagimin e Partisë Socialiste, e cila i ka kërkuar Policisë së Shtetit të ngrihet në këmbë dhe të sigurojë jetën e qytetarëve.

Deputeti i PS-së Sajmir Tahiri është shprehur në një konferencë për shtyp se vendi po përjeton një përshkallëzim kriminal të paparë dhe të padëgjuar ndonjëherë. Sipas tij Shqipëria është zhytur në thundrën e kriminalitetit. "Shteti është lënë në mëshirë të fatit dhe qytetarët janë të pambrojtur. Armët janë përhapur njësoj si në vitin 1997. Qytetarët meritojnë tranzicion paqësor dhe Policia e Shtetit duhet të bëjë detyrën e saj dhe të garantojë sigurinë publike", tha Tahiri. Tahiri u bëri thirrje punonjësve të policisë që të garantojnë jetën dhe pronën e qytetarëve. “Ndaj i bëjmë thirrje punonjësve të ndershëm të policisë së shtetit që të ngrihen në këmbë dhe të garantojnë paprekshmërinë e qytetarëve shqiptarë. Keni mbështetjen dhe besimin tonë të plotë për të bërë gjithçka është në dorën tuaj për të garantuar që qytetarët të gëzojnë të qetë shëndetin, jetën dhe pronën e tyre”, tha deputeti i PS. Tahiri siguroi se me krijimin e qeverisë së majtë do të nisë një erë e re për policinë e shtetit, e cila sipas tij do të rilindë dhe se shteti do të godasë me forcën e ligjit krimin. / Top Channel

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›