E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Protesta në rrugë, luftë në Kuvend

Grupi i jep fund bojkotit total, vendos alternim të aksionit opozitar

Bojkoti parlamentar pushon së qeni një vijë konstante e politikës së opozitës socialiste. Mbledhja e djeshme e Grupit Parlamentar të PS ka dalë me një vendim i cili përvijon atë që mund të quhet etapa e dytë e betejës për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Ekipi i deputetëve të PS, pavarësisht mendimit të Arben Malajt, Ben Blushit dhe Kastriot Islamit që kanë shprehur idenë e pjesëmarrjes së plotë, ka vendosur që të mbajë një marrëdhënie të kushtëzuar me Kuvendin e Shqipërisë, pjesëmarrjen në të cilin do e lidhë vetëm me diskutimet për çështjen e hetimit parlamentar. Ai i largohet kështu bojkotit permanent që karakterizoi qëndrimin politik të forcës më të madhe opozitare përgjatë periudhës postelektorale të 28 qershorit dhe që ia doli të instalojë në Shqipëri klimën e një krize. Sa u përket efekteve që mund të ketë ky ndryshim kursi i PS, vlen të theksohet se më shumë sesa brenda vendit ai jehon pozitivisht jashtë Shqipërisë. Në fund të fundit, vendimi për të hyrë në Parlament, pavarësisht kufizimeve në pjesëmarrje dhe pavarësisht se do të shërbejë si një tribunë për të apeluar edhe më fort për protesta, harmonizohet me kërkesën e faktorit ndërkombëtar për të kanalizuar debatin politik brenda institucioneve. Në planin e brendshëm bie në sy fakti se në ndryshim nga vendimet e tjera të rëndësishme, për sa i përket bojkotit PS nuk është konsultuar me aleatët e vet.

Integrimi i PS në jetën parlamentare si një mënyrë për të rritur prezencën apo forcën e mesazhit të vet politik lidhur me hetimin parlamentar do të kombinohet me rinisjen e protestave qytetare. Ashtu sikurse është paralajmëruar edhe më herët, opozita nuk do të heqë dorë nga rruga dhe mobilizimi qytetar si një mënyrë për të imponuar vullnetin e vet për transparencën e procesit elektoral të 28 qershorit. Më i qartë në këtë drejtim ka qenë kreu socialist, Edi Rama, i cili ka shfrytëzuar mbledhjen Grupit Parlamentar për të rikonfirmuar kalimin drejt politikës së reagimit qytetar. “Ne do të jemi bashkë me popullin në protestë, për të fituar të drejtën e shkelur të transparencës për të gjitha kutitë e mbyllura, nga kutia e zgjedhjeve, te kutia e ekonomisë, e drejtësisë, e lirisë së lëvizjes, konkurrencës, medias. Ndërsa Parlamenti do të jetë për ne vendi ku do të vazhdojmë të kërkojmë me durim e këmbëngulje të drejtën e transparencës, atë dhe asgjë tjetër”, deklaroi Edi Rama. Një politikë e kombinuar, e cila i mvesh protestës atributet qenësore të politikës ku do të ndërtohet pozicioni i vërtetë negociues i opozitës, teksa redukton kapacitetin dhe cilësitë e grupit parlamentar si një trupë që përveç mbajtjes gjallë të temës së kutive nuk duket se do të ketë angazhime të tjera të vërteta. Leximi praktik i këtij ndryshimi, të paktën në kontekstin e brendshëm, risjell në vëmendje edhe një element me shumë rëndësi që i mëshon idesë së fundit të hedhur në tavolinë prej opozitës; atë të zgjedhjeve të parakohshme. Pavarësisht se është ende herët, adaptimi i kësaj politike rifiton një theks shumë të fortë propagandistik që u përqaset toneve të një fushate elektorale. “Te zgjedhjet lidhet dhe zgjidhet kontrata e një populli me qeverinë në një demokraci”, deklaroi më tej Rama dje, duke sqaruar se kontrata e 28 qershorit duhet rishkruar. Pikëpyetja më e madhe e idesë për zgjedhje të parakohshme mbetet tanimë vetëm te rruga e realizimit të këtij objektivi, ç’ka edhe nga vetë selia rozë nuk është bërë e qartë deri në fund. Së paku një pasojë e pamohueshme e të gjitha zhvillimeve të tanishme është fakti se sidoqoftë ecuria e situatës, zgjedhjet e ardhshme lokale do të përjetohen si një ballafaqim i mirëfilltë politik.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›