E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Pushteti po shtrenjton jetesën e qytetarëve

Partia Socialiste ka reaguar sërish për situatën ekonomike në vend duke e cilësuar atë si mjaft të rëndë. Në një konferencë për shtyp deputeti i PS-së Ilir Beqja ka theksuar se pushteti po shtrenjton jetesën e qytetarëve.

"Janë bërë publike të dhënat zyrtare për shtrenjtimin e jetesës në muajin korrik. Sipas këtyre të dhënave, inflacioni mesatar në 7 muajt e parë është 3,7 %. Nëse INSTAT nuk do të manipulojë me peshën e qiramarrjes në buxhetet familjare mujore, inflacioni mesatar real në 7 muajt e parë është 4,1%." theksoi Beqja.

Sipas tij nëse qeveria do të zbatonte vendimin saj të shkurtit 2006, inflacioni mesatar real për pensionistët në 7 muajt e parë është rreth 5 % duke shtuar se edhe të dhënat zyrtare, sado që manipulohen nga Instituti i Statistikave të Sali Berishës, nuk e fshehin dot të vërtetën e shtrenjtimit të jetesës për shqiptarët.

"Të dhënat zyrtare raportojnë se disa zëra të rëndësishëm jetese janë shtrenjtuar me dy shifra krahasuar me një vit më parë. Këto të dhëna janë prova më e qartë se shqipatrët që janë në punë apo marrin përfitime sociale jetojnë më keq se një vit më parë. Ndërsa për ata 100 mijë që kanë humbur vendin e punës në 12 muajt e fundit edhe mbijetesa po bëhet e pamundur. Por ne jemi thellësisht të shqetësuar edhe për shtrenjtimin e afërt të jetesës" shtoi më tej Beqja.

Më tej Beqja theksoi se buka po shtrenjtohet ditë pas dite, ndërkohë që tregu i grurit dhe miellit kontrollohet nga monopolet e lidhura me qeverinë duke shtuar se në këtë konkluzion ka arritur prej 1 viti Autoriteti i Konkurrencës.

"Qeveria nuk ia ka dhënë ende të punësuarve buxhetorë shtesën e pagës që u premtoi në korrik, ndërsa këta duhet të paguajnë më shumë për bukën e përditshme. Ndërsa pensionistëve, pa kaluar as 5 javë nga vendimet e qeverisë, shtesën qesharake mujore do t'ua "hajë" shtrenjtimi i bukës, i ujit të pijshëm dhe dyfishimi i faturave të telefonit" përfundoi deputeti Beqja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›