E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Qeveria në ikje po tjetërson zonat e mbrojtura, në shtator do ti zhbëjmë

LAME-SINK-09_13Tiranë- Artan Lame nga selia e Partisë Socialiste ka denoncuar sërish sot atë që ai e quajti kërdinë e territorit mbi zonat publike të mbrojtura në të gjithë vendin.

Ai akuzoi qeverinë në ikje se me urgjencën e ditëve të fundit siç tha Lame, “po përgatitet tjetërsimi i një sipërfaqeje rreth 600 ha, që aktualisht i përket peizazhit të mbrojtur Vjosë-Nartë”.

“Muajt e fundit ka një dyndje të vendimmarrjeve abuzive në zonat e mbrojtura dhe parqet kombëtare. Kështu po ndërhyhet me vendimmarrje në Parkun e Dajtit, në Zonën e Rrushkullit, në zonën e Mbrojtur të Vjosës, etj.

Pikërisht këto ditë, me urgjencën e hajdutëve të ditës së fundit, po përgatitet tjetërsimi i një sipërfaqeje rreth 600 ha, që aktualisht i përket peizazhit të mbrojtur Vjosë-Nartë. Për këtë po veprohet me urgjencë nga Ministria e Mjedisit, për tjetërsimin e statusit të kësaj zone, për ti hapur rrugë më pas ndërtimeve brenda saj.

Sipas raporteve ndërkombëtare, Shqipëria ka detyrimin që deri në vitin 2020 duhet të arrijë rreth 17-18% të sipërfaqes totale në zona të mbrojtura. Aktualisht, qoftë edhe në letër, jemi shumë larg këtij niveli, ndërsa me këto veprime të papërgjegjshme, jo vetëm që kjo sipërfaqe nuk do te arrihet, por përkundrazi do të zvogëlohet edhe më tej”,- deklaroi Lame.

Nga ana tjetër, Lame tha se pjesë e këtij mekanizmi po bëhet edhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, e cila sipas tij “pasi në 8 vjet ja futi me gjumë, tani në dy javët e fundit të gushtit u kujtua të vërë drejtësinë në vend, duke shpërndarë qindrat e hektarëve si pa të keq.

Ju bëjmë sërish thirrje gjithë këtyre pushtetmbajtësish kalimtarë, që të mos vazhdojnë me vendimmarrje të tilla abuzive, të cilat shtatori do ti shohë të gjitha të kthyera mbrapsht”, përfundoi Lame.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›