PS: Qeveria po investon për gjirin e Lalzit te fshati turistik i familjes Berisha
Partia Socialiste denoncoi dje një tjetër skandal të familjes kryeministrore. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS, Erion Braçe, tha se familja Berisha është pronare e një fshati turistik në gjirin e Lalzit dhe po investon që të ndërtohet një rrugë që do t’iu rrisë vlerën investimeve të tyre. Megjithatë, edhe pse fondet për rrugën janë lëvruar, Braçe, i cili ishte në vend, tha se rruga nuk ka përfunduar ende. “Investimi sistemim-asfaltim, Rruga Gjiri i Lalzit, me vlerë 870 mln lekë ose afërsisht 10 mln dollarë ka nisur të ndërtohet në janar 2007. Siç tregon edhe tabela, ajo duhet të mbaronte në janar 2009, gjë që presupozon, jo vetëm mbulim me financim brenda vitit 2008, por edhe dorëzimin dhe vënien në shfrytëzim të rrugës brenda 31 janarit të 2009.
Për fat të keq rruga nisi të ndërtohet si rrugë elektorale 20 ditë përpara zgjedhjeve lokale të vitit 2007 dhe pikërisht për këtë arsye, jo vetëm që nuk ka mbaruar, por të dhënat në terren e tregojnë të largët ditën kur do të mbarojë.
Rruga është e gjatë 20 km dhe koha prej 24 muajsh e ndërtimit të saj ka qenë më se e mjaftueshme (833 metra në muaj për t’u ndërtuar).
Është asfaltuar deri tani gati 55% e rrugës. Për fat të keq çdo kilometër në këtë pjesë të bërë është shkatërruar për shkak të cilësisë shumë-shumë të dobët të punës, mbi të gjitha për shkak të mosrespektimit të standardeve në ndërtimin e shtresave të domosdoshme të rrugës. Kjo ka bërë që firma sot, kur rruga duhej të ishte e mbaruar, të nisë arnimin e segmentit të asfaltuar. 45% e rrugës është në fazën fillestare të ndërtimit. Kjo duket qartë, aq sa në 8 km, jo vetëm nuk ka gjurmë asfalti, por zor të gjesh gjurmë çaklli. 12 ura kryesisht të vogla 4-5 m të gjata, të cilat duhet të rikonstruktoheshin, nuk janë i janë nënshtruar një procesi të tillë. Dalja jashtë afateve natyrisht që sjell dëm ekonomik, madje të madh”, - tha Braçe.
“Së dyti, kjo rrugë nuk po bëhet thjesht dhe vetëm si nevojë e banorëve të kësaj zone për të e për zhvillimin e zonës. Përkundrazi, nevoja e banorëve të kësaj zone po shfrytëzohet kriminalist nga qeveria për të rritur vlerën e pronave të saj të përfituara në mënyrë të paligjshme ose të blera për një copë bukë nga banorët e varfër të zonës në gjirin e Lalzit. Një vit më parë në parlament kam treguar njoftimin e një kompanie imobiliare që shpallte Argita Malltezin si konsulente ekskluzive të kësaj kompanie në shitblerjen e pasurive të paluajtshme. Bashkë me të dhe njoftimin se kompania kishte nxjerrë në shitje 2.4 mln metra katrorë tokë në gjirin e Lalzit, të disponuara me certifikatë qeveritare, thuhet në njoftim.
Rruga dhe ky njoftim është shembulli më i mirë që sjell në evidencë të njëjtën skemë, siç ishte ajo e Damir Fazlliçit në Porto Romano, sipas të cilës përdoren vendimet politike të qeverisë, si dhe paratë publike të shqiptarëve për të rritur vlerën e pronave të paligjshme të pushtetarëve. Fundi i rrugës është në fshatin e qeverisë. Nuk e kam fjalën për fshatin e vjetër dhe banorët autoktonë. E kam fjalën për fshatin e luksit, ku banon e ruhet me roje vajza e kryeministrit, kunati i kryeministrit, disa ministra, disa zv/ministra, si dhe dy drejtorë të agjencive më të rëndësishme publike të shtetit, midis tyre dhe drejtori aktual i Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve”, - vijoi më tej Braçe.