Kush është në të vërtetë kundërshtari i Berishës sot?
Kryeministri, Sali Berisha, është tani në provë për të dëshmuar sinqeritetin e deklaratave të tij në SHBA rreth respektimit të vendimit të gjykatave dhe sidomos mënyrës se si Gjykata Kushtetuese do të vlerësojë kushtetutshmërinë e ligjit të lustrimit. Pasi i iku pak tronditja nga shqetësimet që ka dëgjuar prej Sekretares së Shtetit në zyrën e saj, ai filloi t’i modifikojë deklaratat publike, duke theksuar faktin që ka shmangur luftën kundër kundërshtarëve politike, duke lejuar Skënder Gjinushin të kandidojë për deputet. Po t’i hedhësh një sy dhe shtypit të tij ditën e djeshme, e shikon se ai po i largohet ora-orës deklaratës që bëri, sapo doli nga zyra e zonjës Klinton, ku theksoi se do respektojë çdo vendim gjykate për këtë çështje dhe do përpiqet për zgjedhje të lira e të ndershme. Deklaratat e tij tashmë janë devijuar dhe janë fokusuar te fakti që ligji për lustrimin nuk do përdoret ndaj kundërshtarëve. Por kundërshtari real i Sali Berishës sot nuk është Skënder Gjinushi, nuk është Gramoz Ruçi, nuk është madje as Edi Rama. Kundërshtari real i Berishës, madje ai që e lë atë pa gjumë, është institucioni i prokurorisë dhe drejtësisë. Jo se ata kanë ngrehur shpatën kundër Berishës, por për faktin e thjeshtë se Berisha ka rënë në rrjetin e tyre dhe në njëfarë mënyre ata janë të vetmit që, nëse kanë fare pak sedër profesionale dhe përgjegjësi publike, i japin fund sundimit të tij arbitrar si plaçkitës i këtij vendi.
Të gjithë kemi rezervat tona për drejtësinë shqiptare dhe aq më tepër për prirjen e prokurorisë apo gjykatave për të bërë pazare me rastet politike. Por, fakti që ata ende nuk i kanë rënë në gjunjë Sali Berishës ose së paku fakti që ky ende i ka frikë ata, se ndoshta i bëjnë gjëmën duke çuar deri në fund hetimet për djalin, për vajzën, për dhëndrin, për Lulin, për Fatmirin etj., i bën ata kundërshtarët realë të Sali Berishës. Dhe, që Sali Berisha të jetë i sinqertë në ato që premtoi në Uashington, duhet doemos të mos e përdorë këtë ligj kundër kundërshtarëve të tij realë.
Kundërshtari i dytë real i Sali Berishës mbetet media. Gazeta “TemA” po e provon realisht, jo përdorimin e ligjeve, por mosrespektimin e ligjeve dhe vendimeve të gjykatave nga Sali Berisha. Përmbarimi, i cili është institucioni ekzekutues i ligjit, i çon përditë policisë së Sali Berishës njoftimin për të zhbllokuar nga policët derën e gazetës “TemA”, por Sali Berisha nuk e lejon. Përkundër reagimeve të forta ndërkombëtare, ai po përpiqet me çdo kusht të shkatërrojë gazetën, biznesin e saj dhe të vazhdojë të hakmerret deri fizikisht ndaj meje. Banditë që shoqërojnë djalin e tij gjatë ditës, natën vijnë e djegin makinën time, shantazhojnë njerëzit e familjes dhe të afërmit e mi dhe hakërrehen për hakmarrje. Vetëm një ditë para se të nisej për në SHBA, ai sulmoi publikisht me zërin dhe fytyrën e vet para kamerave familjarët e drejtorit të lajmeve të “Top Channel”-it, për t’i shantazhuar ata. Zëdhënësi i tij anekdotik filloi të sulmojë çdo drejtor televizioni që nuk i bën lajmet siç i do Sali Berisha dhe që guxon t’iu thotë qytetarëve shqiptarë se Shqipëria po bëhet dita- ditës pronë e djalit, vajzës, dhëndrit dhe Lulit të Sali Berishës. Ndaj kësaj medieje Sali Berisha po përdor mungesën e shtetit ligjor dhe paturpësinë me të cilën ai sillet ndaj kundërshtarëve.
Premtimi i tij në Uashington se do respektojë vendimet e gjykatave dhe nuk do të përdorë ligjet për gjueti ndaj kundërshtarëve të tij, janë vjetruar brenda ditës. Kundërshtarët realë të Sali Berishës nuk janë më politikanët e opozitës. Me ta ai po luan si macja me miun, duke u bërë herë me njërin e herë me tjetrin për të mbetur vetë në lojë. Ata që mendojnë se kanë përballë Sali Berishën antikomunist apo të apasionuar ndaj burgosjes së kundërshtarëve, gabojnë. Përballë shqiptarëve është një Sali Berishë i ndryshuar, një Sali Berishë, që ndryshe nga gjithë kryeministrat e tjerë të këtij vendi që kanë pas pasion “të bëjnë lekë”, se kishin “familje për të mbajtur”, ky ka vënë familjen “të bëjnë lekë”, se kanë të zotin e shtëpisë për të mbajtur. Kundërshtarët e tij realë mbeten mediet dhe drejtësia, deri në atë kufi sa ato do të kenë fuqi të jenë të lira për të shkuar drejt së vërtetës. Sali Berisha e di mirë se nuk i gënjen dot në Uashington për ato që bën në Shqipëri, por shpreson të gënjejë këta që janë në Shqipëri për Uashingtonin. Por tashmë ai është i dënuar të mbajë fjalën që ka thënë atje dhe të dorëzohet ose ta përdorë fotografinë me Hilari Klintonin si pasaportë për të gënjyer shqiptarët.