E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Qeveria të dëmshpërblejë bizneset viktima të ligjit për Gjobat

Partia Socialiste ka kërkuar sot që qeveria të kthejë gjobat që kanë marrë bizneset nga një ligj antikushtetues. Përfaqësuesi i kësaj partie, Shpëtim Idrizi në një konferencë shtypi është shprehur se “ligji i gjobave” ka çuar drejt falimentimit shumë biznese të cilat janë detyruar të paguajnë detyrime e gjoba vetëm për të apeluar një vendim të tatimeve në gjykatë. Por ai ka shprehur shqetesim edhe per ligjin e "Procedurave tatimore" qe po kalon ne Parlament. Ai kerkoi qe te behet kujdes ne menyre qe edhe ky ligj mos te perfundoje ne Anti- Kushtetues.

Dje Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar një pikë të ligjit për gjobat e biznesit, veprim i cili është përshëndetur nga të gjitha përfaqësitë e biznesit në vend. Kështu kryetarja e Dhomës së Tregtisë Floreta Luli Faber është shprehur se “Heqja e nenit 2 është një pikë shumë e rëndësishme që vjen në ndihmë bizneseve për zgjidhjen e konflikteve që ata kanë me tatimet”.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, mori dje në shqyrtim kërkesën bizneseve duke shfuqizuar pikën 2 të nenit 3 të ligjit Nr. 9713, sipas të cilit tatimpaguesit para se të paraqiten për shqyrtim gjyqësor, janë të detyruar të paguajnë 15 përqind të çdo gjobe dhe interesi. Gjykata e hodhi poshtë këtë pikë si të papajtueshme me Kushtetutën e Shqipërisë.

Bizneset të përfaqësuara nga një sërë shoqatash kanë kërkuar me ngulm të hiqet kjo pikë e ligjit për gjobat, pasi sipas tyre është e pamundur të paguhet.

Por ky nen i shfuqizuar nga kushtetuesja është vetëm një pikë e asaj që kanë kërkuar bizneset për tu ndryshuar në projekt-ligjin “Për Procedurat tatimore”.  Lobingu i biznesit i ka denoncuar publikisht ndryshimet në procedurat tatimore, si shkelje të parimeve themelore të së drejtës.

Dhoma Amerikane e Tregtisë, e cila përfaqëson interesat e një numri të konsiderueshëm kompanish vendëse e të huaja, denoncoi para pak ditësh publikisht ndryshimet në procedurat tatimore që qeveria ka dërguar në Kuvend për miratim, si antikushtetuese.

"Ne e vlerësojmë antikushtetues nenin 101 të këtij projektligji, i cili i lejon organet tatimore të thërrasin me detyrim çdo person, të detyrohet për t'u paraqitur, të detyrohet për të dëshmuar, aq më tepër të detyrohet për të bërë ekspertizë, etj., në zyrat e organeve tatimore. Për më tepër ky ligj lejon të thirren për të dëshmuar mbi të dhënat e një tatimpaguesi, persona të cilët nuk kanë autorizimin e shoqërisë",- deklaroi AmCham, pasi kishte tentuar më kot të negocionte jopublikisht me qeverinë, me mendimin se do të gjenin logjikë.

"Pavarësisht nga angazhimi konstant dhe prezantimi i komenteve dhe sugjerimeve në të gjitha tryezat ku ajo është ftuar, Dhoma Amerikane shpreh shqetësimin e thellë për mungesën e reflektimit të argumenteve të dhëna në draftet e projektligjit",- deklaruan zyrtarë të Dhomës në një konferencë për shtyp të disa ditëve më parë.

Biznesi i konsideron ndryshimet ligjore të propozuara, si "cenimin real apo potencial të disa parimeve dhe institucioneve themelore të së drejtës së pronës dhe të njeriut në përgjithësi, si dhe në dëm të lirisë së tregut, me trajtimin e aktivitetit privat sikur të ishte publik".

Kjo është deklarata më e ashpër e bërë ndonjëherë nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, e cila zakonisht përdor gjuhë shumë diplomatike, ku edhe më herët ka qenë në gjendje të negociojë me qeverinë pa patur nevojë t'i shpallë luftë.

Rritje e autoritarizmit

Teorikisht, Shqipëria është një vend i tregut të lirë, ku marrëdhëniet ekonomike vetërregullohen, ku çmimet përcaktohen nga tregu, etj. Ligji i ri i kthen tatimet në institucion hetimor, me fuqi ligjore të thërrasë njerëz për t'u marrë në pyetje, qofshin edhe punonjës të thjeshtë kompanie apo njerëz të paautorizuar për të folur nga kompanitë nën hetim. Ndryshimet i japin të drejtë tatimeve të sekuestrojnë llogaritë bankare të tatim-paguesve pa një vendim gjykate, dhe jo vetëm të biznesit, por edhe llogaritë personale të pronarit apo ortakëve të biznesit, llogari që mund të mos kenë fare të bëjnë me biznesin nën kontroll.

Sipas studiove ligjore me të cilat është konsultuar Dhoma Amerikane e Tregtisë, ku hyjnë disa nga studiot më me emër në Shqipëri, ndryshimet e propozuara ngatërrojnë termin "konfiskim" me termin "sekuestrim", duke i dhënë atributet e konfiskimit, rasteve të sekuestrimit. Sekuestrimi është bllokimi i përkohshëm i një objekti nën pronësinë e dikujt që gjendet nën proces shqyrtimi të të qenit debitor. Konfiskimi është zhveshja përfundimtare e cilësive të pronarit nga një send, për llogari të kreditorit.

"Në projektligj nuk është plotësisht i qartë termi juridik "sekuestrim" apo "konfiskim", pasi rëndom në projektligj përdoret termi "sekuestrim", por nga sa shtjellohen më tej veprimet që ndërmerren nga Administrata Tatimore, të lë të kuptosh që është "konfiskim",- shprehet Dhoma.

Roli i konfiskuesit, sipas ndryshimeve ligjore, i është dhënë Drejtorit Rajonal të Tatimeve. Drejtori, pas këtyre ndryshimeve, kthehet në një njeri të plotfuqishëm. Për më tepër, personi përgjegjës për sekuestrimet në formë konfiskimi, "Drejtori Rajonal", nuk njihet sot për sot si term në legjislacionin shqiptar, nuk dihet shtrirja territoriale e autoritetit të tyre, pra është një post që mund të krijohet në të ardhmen, me akt nënligjor. Në këtë rast, qeveria merr rolin e policit, hetuesit, gjykatës dhe Zyrës Përmbarimore njëkohësisht.

Ndryshime rrugës

Përveç aspekteve antikushtetuese, Dhoma Amerikane ankohet edhe për faktin se varianti i ndryshimeve ligjore i dërguar në Kuvend, duket se përmban klauzola shtesë që nuk iu paraqitën fare për diskutim qarqeve të interesuara.

"Vlen të veçojmë që drafti i fundit i Ligjit për Procedurat Tatimore i dërguar nga qeveria në Komisionin e Ekonomisë mbart ndryshime për të cilat organizmat e biznesit nuk u vunë në dijeni. Theksojmë një nga çështjet më problematike të këtij projektligji, kalimin e përgjegjësive tatimore nga kompania tek ortaku, aksioneri apo administratori. Fatkeqësisht, ky koncept sapo u miratua nga Parlamenti shqiptar, në Ligjin mbi Shoqëritë Tregtare. Biznesi e kundërshton me forcë këtë pikë, që është në kundërshtim të plotë me ligjin aktual për shoqëritë tregtare dhe në përgjithësi me parimet mbi të cilat ngrihet një shoqëri tregtare",- thuhet në deklaratën e Dhomës.

Biznesi vlerëson se miratimi i këtij ligji në kushtet kur sipërmarrja nuk ka asnjë mundësi për të shkuar para gjykatës, sjell në këtë mënyrë keqësimin e frymës së bashkëpunimit shtet/biznes, aq i rëndësishëm sidomos për investimet prodhuese. Nga ana tjetër edhe vetë deputetët e maxhorancës kanë qenë dakord me faktin se, në këtë ligj ka mospërputhje me legjislacionin e ngjashëm të BE duke shtuar mundësitë për korrupsion nga institucionet fiskale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›