PS: Qytetarët sot janë të pasigurtë, është rritur krimi

Partia Socialiste ka akuzuar qeverinë se është e paaftë për të parandaluar rritjen e kriminalitetit. Në një konferencë për shtyp deputeti i PS-së Eduard Shalsi theksoi se sot qytetarët janë të pasigurtë dhe rritja e vrasjeve dhe aksidenteve tregojnë për një bilanc lufte.
“Sot rendi dhe sigurai publike në Shqipëri janë cënuar rëndë pasi pasiguria është rritur dhe askush nuk ndihet më i qetë. Çdo ditë vijnë lajme për vrasje aksidente të cilat janë shtuaar aq shumë saqë përbën një bilanc lufte” tha Shalsi.
Sipas Shalsit rritja e kriminalitetit në vend përveçse faktorëve ekonomikë dhe social ka të bëjë edhe me degradimin e strukturave të policisë së shtetit.
“Rritja e kriminalitetit ka të bëjë me degradimin e strukturave të policisë, me përzënien nga puna e profesionistëve dhe zëvendësimin e tyre me militantët pa profesion, më pas edhe me emërime nepotike dhe klienteliste dhe me njerëz të papërgatitur për tu përballur me sfida” shtoi Shalsi.
Të njëjtën qëndrim ka mbajtur edhe deputetja e PS-së Eglantina Gjermeni e cila ka theksuar se rritja e kriminalitetit tregon pafuqinë e shtetit për të garantuar rendin dhe ligjin.
"Kurrë më parë në këtë vend krimi dhe pasiguria për pronën nuk kishin përmasa të tilla. Shqiptarët vriten për shkaqe nga më banalet dhe kjo situatë shpreh pafuqinë e shtetit për të garantuar rendin dhe ligjin. Sali Berisha ka dështuar ti ofrojë qytetarëve siguri dhe rend pasi ai nuk ka as vullnetin për ta bërë këtë” tha Gjermeni.
Sipas saj vizioni i Partisë Socialiste për parandalimin e krimit është paqyruar qartë edhe në programin e saj për një rilindje shqiptare. “Vizioni ynë për parandalimin e krimit është i thjeshtë luftë kunfër krimit, luftë kundër shkaqeve të krimit” shtoi ajo.