Nisma e PS, Majko: Vendimi për shtyrje, i papërgjegjshëm

Partia Socialiste ka reaguar pas shtyrjes nga Këshilli i Legjislacionit të nismës së PS-së për ndryshimet kushtetuese.
Në një konferencë për shtyp, deputeti socialiste Pandeli Majko e cilësoi si të papërgjegjshëm vendimin për shtyrjen e shqyrtimit të paketës së socialistëve.
“Kemi ulur kokën. Kur sot ne po ofronin këtë konsensus maksimal PD-ja gjeti rast të bëjë një humor të hidhur duke kërkuar dy javë dhe në këtë kohë kaq të vështirë dhe delikate janë një luks i tepruar. Kjo është një papërgjegjshmëri” tha Majko.
Ai ka theksuar se shqyrtimi i draftit të PS-së duhet të bëhet në mënyrë urgjente pas vetëm pak kohë ka mbetur që Shqipëria të marrë përgjigjen për statusin e vendit kandidat.
“Diskutimi ishte një urgjencë që duhet të realizohet në një kohë sa më të shkurtër. Sot ne vajtëm për të diskutuar ato që ne kemi paraqitur. Çudia është se pas deklarave tona, PD-ja kërkoi dy javë kohë për të menduar pikërisht kur të gjithë po vrapojmë” shtoi Majko.
Ndërkohë më herët Këshilli i Legjislacionit ka shtyrë për 2 javë shqyrtimin e paketës së PS-së për ndryshimet kushtetuese. Këshilli vendosi me 17 vota pro shtyrjes të shqyrtimit të draftit të socialistëve ndërsa deputetët e opozitës abstenuan.