E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Sezoni turistik, i dështuar. Por ka një lajm të mirë: Kjo është vera e fundit e Berishës në pushtet

I vetmi investim në turizëm këtë verë është vila qeveritare në Vlorë

Partia Socialiste e ka vlerësuar këtë sezon turistik si të dështuar. Sekretari për Programin në PS, Ilir Beqaj, tha se ky është një sezon pa investime, me plazhe bosh dhe me ankesa për ujë, kanalizime e energji elektrike.

Sezoni turistik veror po hyn në fazën e tij përmbyllëse dhe treguesit e drejtpërdrejtë e të tërthortë konfirmojnë, për fat të keq, për një tjetër sezon turistik të dështuar.

Në të vërtetë është në vazhdën e dështimeve të përsëritura të qeverisjes së 7 viteve të fundit.

Pas 7 vjetësh qeverisjes të Berishës, pushuesit e vizitorët ankohen për mungesën e ujit të pijshëm, pushuesit e vizitorët ankohen për mungesën e kanalizimeve, pushuesit e vizitorë ankohen për mungesën e energjisë elektrike, pushuesit e vizitorët ankohen për mbeturinat e kudondodhura, ndërsa Sali Berisha ne mes të sezonit turistik u bëri dhuratë lejet për import plehrash.

Ky është sezoni turistik ku shqiptarëve i ndalohet të lundrojnë në detin e tyre, ndërsa Sali Berisha refuzon të diskutojë propozimin e deputetëve socialistë për çlirimin e detit nga moratoriumi.

Ky është sezoni turistik me aksidentet vdekjeprurëse në rrugët e Shqipërisë  më të larta në vitet e fundit.

Ky është sezoni turistik me plaçkitje të turistëve dhe me tritol të vendosur në operatorët turistikë.

Ky është sezoni turistik i parqeve kombëtare që digjen. Të gjithë qytetarët e Tiranës po shohin prej dy ditësh se po digjet faqja perëndimore e malit të Priskës, ndërsa kryeministria është e zënë me transmetimin e rekordeve të Sali olimpikut.

Ndërkohë që nuk ndalet orgjia e ndërtimeve pa leje e pa plan në territoret e potencialeve turistike.

Ky është sezoni turistik i plazheve të zbrazëta. Bosh plazhet e Durrësit e të Golemit, bosh plazhet e Vlorës e të Orikumit, bosh hotelet e Sarandës e të Divjakës, tha Beqaj.

Zyrtari socialist tha se i vetmi investim ishte vila e Berishës në Vlorës.

I vetmi investim në turizëm këtë verë është vila qeveritare në Vlorë. Të gjithë shqiptarët e panë dje se si shpërdorohen paratë e tyre, ndërsa qeveria është e interesuar vetëm për turizmin e vet.

Nuk është faji i opozitës apo mediave të pavarura pse tregojnë publikisht zullumet dhe dështimet e Sali Berishës, pse kritikojnë me shifra konkrete, pse denoncojnë me fakte e prova. Saliu çuditet sepse vetë është mësuar të gënjejë, të trillojë, të shpifë. 

Ka një lajm të mirë për shqiptarët. Kjo është vera e fundit në sundimin e pushtetit të Saliut. Verën e ardhshme vendi do të drejtohet nga qeverisja e Partisë Socialiste. Ne kemi një plan për rilindjen e turizmit shqiptar. Është pjesë e planit tonë për rimëkëmbjen e ekonomisë si domosdoshmëri për rilindjen e Shqipërisë, tha Beqja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›