E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS Shkaktaret e Gerdecit mbahen ministra

PS ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Berisha për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Sipas deputetit Sajmir Tahiri, ky vit i ri nisi me krizën të cilën kreu i qeverisë nuk e zgjidhi.

“Vetëm dje, komisioneri Fyle kujtoi edhe një herë se e njëjta krizë që e la Shqipërinë jashtë dyerve të Bashkimit Europian vazhdon ende të peshojë mbi qeverinë si një sirenë e fortë alarmi, duke cënuar në themel demokracinë dhe shtetin ligjor. Pushteti i votave të vjedhura nuk ka më asgjë të përbashkët me standardet europiane. Partneri i biznesit që polli tragjedinë e Gërdecit, u dënua nga një gjykatë amerikane, ndërkohë që autorët shqiptarë të tragjedisë që jo vetëm trafikuan armë e fishkë, por hodhën në erë një fshat të tërë, duke lënë pas mbi 26 viktima, nuk dënohen, por mbahen ministra prej Sali Berishës e familjes korruptive që ai drejton”, është shprehur Tahiri.

“Ky nuk është standard europian, por standardi i qeverisë që vjedh votat për të vjedhur Shqipërinë, duke lënë në baltë shqiptarët e zakonshëm, për të nxjerrë nga llumi i korrupsionit familjarët dhe partnerët e bizneseve të paligjshme të pushtetit. Sali Berisha nuk i shpëton dot të vërtetës së zgjedhjeve dhe të aferave korruptive të familjes së tij biologjike dhe politike. Qytetarët e zakonshëm që Saliu i ka lënë në baltë, shumë shpejt do marrin vesh të vërtetën, duke lënë në baltë vetë Saliun dhe ortakët e tij”, shtoi Tahiri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›