E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Shqipëria,qendër e kontrabandës së armëve

TIRANE- Partia Socialiste akuzon qeverinë dhe kryeministrin Berisha se ka kthyer Shqipërinë në një qendër të kontrabandës së paligjshme të armëve që furnizon me armë "terroristë që luftojnë kundër partnerëve tanë ndërkombëtarë". Në një prononcim nga selia rozë deputeti socialist Blendi Klosi deklaroi se furnizimi me armë i qeverive të Jemenit dhe Iranit bëhet “nën bekimin e kryeministrit”

“Sikur të mos mjaftonin aferat e korrupsionit të cdo ministri në pushtet, sot del në pah një tjetër e vërtetë e frikshme. Shqipëria nën sundimin e Sali Berishës është transformuar në një qendër të kontrabandës së paligjshme të armëve duke furnizuar me armë e municione disa nga regjimet më despotike e kriminale sot në botë. “- tha Klosi.

Sipas tij “Vetëm nën bekimin e Saliut kjo tregti e pastër ka gjetur shtrirje në të gjithë botën e inkriminuar sot.”
Deputeti socialist shprehu shqetësimin se “Shqiëpria sot është shndërruar në një parajsë për kontrabandistët serbë të arme dhe në një pazar të madh armësh e municionesh për regjimet despotike e lëvizjet fundamentaliste terroriste në mbarë botën.” Më tej ai akuzoi ministrat “Arben Imami dhe Lulzim Basha se janë negociatorët e këtyre parave të pista dhe për të gjitha këto fajin e përgjegjësinë e mban Berisha.

Sipas një raporti të OKB-së Shqipëria i ka shitur 54.044.000 plumba e mortaja luftarakë Jemenit në vitin 2009. Nga ana e tij ministri i mbrojtjes pohoi dje para Kuvendit se në vitin 2009, Shqipëria kishte nënshkruar një kontratë të ligjshme për eksport të municioneve luftarake drejt Jemenit, por pretendoi se kjo kontratë nuk u arrit të realizohej.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›