E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burg për Genci Çarçanin: Jam penduar që vrava Valbonën

Viktima-Valbona-Çarçani-Autori-Genci-ÇarçaniI penduar për vrasjen e ish-bashkëshortes, por dhe me motivin e xhelozisë dhe konflikteve që kishin prej vitesh. Genci Çarçani është shfaqur dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda për masën e sigurisë, ku trupi gjykues dha arrest me burg me akuzën vrasje në familje. Kjo vepër penale, pas ndryshimeve në Kodin Penal, tashmë është kompetencë hetimi dhe gjykimi nga Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda, me një masë për dënim nga 20 vjet, deri në burgim të përjetshëm. Seanca nuk ka zgjatur më shumë se një orë dhe me dyer të mbyllura. Nuk janë lejuar të hyjnë as familjarët e të dyshuarit, apo dy vajzat e tij, që kanë pritur vendimin jashtë godinës së gjykatës. Mësohet se 48-vjeçari Genci Çarçani, e pranoi në gjykatë vrasjen me thikë të bashkëshortes së tij, Valbona Çarçani. Por ai ka thënë nga kafazi i hekurt se nuk e kishte paramenduar krimin, megjithëse mbante thikë. Unë shkova të sqaroja me gruan arsyen përse më kishte denoncuar në polici dhe përse nuk më lejonte të takoja vajzat e mia, ka thënë i dyshuari. Çarçani i tha gjykatës se në momentin që sulmoi Valbonën, kjo e fundit e kishte goditur me çantë në kokë dhe ai kishte humbur gjakftohtësinë. Ajo më tradhtonte me të tjerë. Mundohej që ti shmangte vajzat nga mua. Ndërsa ishte edhe agresive dhe më fyente, ka vijuar 48-vjeçari. E ndjera 45-vjeçare e kishte denoncuar ish-bashkëshortin në Komisariatin nr. 1 për kanosje dhe dhunë psikologjike. Por kur duhej që i dyshuari të shkonte të jepte shpjegime, mëngjesin e të shtunës e ka pritur në një lokal afër lagjes ku ish-gruaja jetonte dhe më pas i ka zënë rrugën. Në sherr e sipër e ka goditur të paktën 4 herë me thikë për vdekje, në qafë, shpinë dhe kraharor dhe më pas ka marrë çantën dhe qenin e saj dhe është larguar me vrap. Patrullat e policisë e kapën pa bërë rezistencë te Ushtari i Panjohur në qendër të Tiranës. Fillimisht në dëshmi 48-vjeçari u shfaq kontradiktor duke thënë se thikën e gjeti në rrugë dhe më pas se e bleu në dyqan. Çifti kishte dy vajza nga martesa, 20 dhe 18 vjeçe, ndërkohë që ishin ndarë disa vite më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›