E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Të dalin përgjegjësit politikë të masakrës


Partia Socialiste kërkon me ngulm nxjerrjen e përgjegjësive dhe përgjegjësve politikë të masakrës së Durrësit ku humbën jetën 4 policë. Kur kanë kaluar 8 ditë nga vrasja tragjike e 4 policëve në detyrë, selia rozë denoncon si inkriminuese faktin që pushteti i sotëm nuk ka nxjerrë asnjë përgjegjës për këtë ngjarje të rëndë. Deputeti i ri i PS-së, i mandatuar së fundmi nga KQZ, Ditmir Bushati, në një dalje të posaçme për mediat ka shprehur shqetësimin që mbart kjo forcë politike për apatinë e strukturave shtetërore jo vetëm ruajtjen e jetës së uniformave blu në luftën kundër krimit, por edhe në nxjerrjen e përgjegjësive për një ngjarje të rëndë siç qe ajo e ndodhur në plazhin e Durrësit ku gjatë një prite kriminale u vranë katër policët që më pas u shpallën dëshmorë të atdheut. "Për fat të keq pushteti i grabitur i Sali Berishës ende nuk ka nxjerrë asnjë përgjegjësi për ngjarjen, por vazhdon të abuzojë me kokëfortësi me kodin e vdekjes. Partinë Socialiste nuk e emocionon asnjë deklaratë me fjalor rrugaçëror dhe shpifje të ulëta që vijnë nga njeriu që grabiti votat e shqiptarëve në bashkëpunim me kriminelë të lëshuar enkas nga burgjet", - u shpreh Bushati. Më tej ai ka theksuar se vrasja e katër policëve të pafajshëm është shprehje e gjendjes kritike të një vendi të mbetur pa shtet, ku pushteti punon vetëm për pasurimin e një familjeje dhe ku shërbëtorët e ligjit ndjehen të pambrojtur nga dora e kriminelëve dhe jeta e qytetarëve shqiptarë është çdo ditë edhe më e pasigurt. Ai ka siguruar gjithashtu se pavarësisht kundërdeklaratave që vijnë nga kampi blu, Partia Socialiste do të vazhdojë të jetë zëdhënëse e shqetësimit qytetar duke kërkuar me ngulm përgjegjësitë dhe përgjegjësit politikë, moralë e ligjorë të kësaj ngjarjeje tragjike.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›