ISFF krijon një fytyrë
Deklarohet programi i Festivalit Veror Ndërkombëtar i Filmit në Durrës. Edicioni i dytë, që do të mbahet në datat 22-30 gusht, përfshin në konkurrim filma nga gara e Kanës, më 2008-ën. Vjen "Palermo Shooting" i Wim Wenders, por akoma nuk konfirmohet ardhja e regjisorit gjerman
Pas deklarimit të programit dhe strukturës së tij, duket qartë që Festivali Veror Ndërkombëtar i Filmit në Durrës, në vitin e dytë të tij, ka krijuar një fytyrë.
Gara në dy seksione, evropiane dhe ballkanike, filmi retrospektivë kushtuar një regjisori shqiptar, tribut kinemasë së një vendi të caktuar, filma përshëndetës që hapin dhe mbyllin festivalin, një hapësirë vetëm për muzikën në kinema, pothuajse këto përbëjnë programin e Festivalit të Durrësit.
Organizatorët bënë të ditur dje, një javë para hapjes së festivalit, i cili mbahet më 22-29 gusht, projeksionet e filmave, oraret, vendet, ritransmetimet në dy mjediset e festivalit, Amfiteatri romak dhe Teatri "Aleksandër Moisiu", që të dy ndodhen pranë njëri-tjetrit në qendër të qytetit. Në amfiteatër bëhet hapja në orën 21.00 me fituesin e Çmimit Oscar 2009, "Slumdog millionare", i regjisorit Dany Boyle dhe prezantimi do të bëhet nga aktorja rumune, Maia Morgensteirn.
Drejtorja artistike e ISFF-së, Anila Varfi, tha se ky edicion sjell në konkurrim 18 filma, mes të cilëve edhe premiera rajonale dhe kombëtare. Filmat konkurrojnë në dy seksione: Balkan World/Botë Ballkanike dhe Contemporary Visions/Vizione Bashkëkohore
Në të parin janë në garë filma nga vendet e rajonit. Varfi tha dje se filmat shqiptarë, për t'u bërë pjesë e këtij konkurrimi, kanë si kusht të shfaqen në festival si Premierë, i tillë është "Alive", i cili premierën botërore e pati në Karovy Vary.
Nga ky seksion vlen të përmendim, ndër nëntë veprat, edhe përfshirjen e një emri të shkëlqyer të kinemasë evropiane të dekadës së fundit: regjisori turk Nuri Bilge Ceylan, me filmin "Tre majmunët", fitues në Kanë i Çmimit Regjia më e mirë. Apo "Vajza më e lumtur në botë", i rumunit Radu Jude, "Aragosta", i regjisorit bullgar Ivan Cherkelov.
I programit konkurrues të Kanës së 2008-ës është edhe "Xhirime në Palermo", i Wim Wenders-it. Ndoshta regjisori gjerman dhe president i Akademisë Evropiane të Filmit do jetë i pranishëm në Durrës, por kjo ende nuk konfirmohet. Edhe pse një film që nuk fitoi vlerësim minimal të kritikës, pjesëmarrja në Durrës i shërben sot për sot festivalit të Durrësit. Është një nga nëntë filmat që konkurron në Vizione Bashkëkohore që, sipas Varfit, është seksioni që prezanton "filmat më të rinj europianë që do të sjellin në Shqipëri imazhin e Europës sot, filmat konkurrues duhet të jenë prodhim i vitit të fundit." Fituesi i shpërblehet me statuetën e festivalit, që përfaqëson çmimin e madh "Gladiatori i Artë".
Tek Vizionet garojnë "The Karamazovs" Peter Zelenka (Çeki) fitues si Best Film në "Czech Lion Awards", "La Pivellina" i regjisorëve Tizza Covi dhe Rainer Frimmel (Austri-Itali) i vlerësuar filmi më i mirë evropian në "Karlovy Vary Film Festival 2009" apo "Ricky" i Françoi Ozon (Francë) etj.
Të dyja seksionet i vlerëson një juri, e cila ka për president Rik Vemeulen. Ai është koordinator dhe konsulent për "International Film Festival" në Roterdam (IFFR), gjithashtu drejtor i "Transilvania International Film Festival" (Cluj-Napoca) në Rumani. Përkrah tij do të jenë Mira Staleva zv/drejtoreshë e Sofia Film Festival, regjisori shqiptar Gjergj Xhuvani dhe Denis Mujovic, producent i NewGround Productions (Maqedoni). Kjo juri jep çmimet Golden Gladiator për Filmin më të mirë, Çmimi i Jurisë, Regjisori më i mirë, Filmi më i mirë Ballkanik, Aktori më i mirë, Aktorja më e mirë. Jepet edhe një Gladiator i Artë - Çmimi i Karrierës.
Kurse juria e kritikës që futet për herë të parë këtë vit, jep Çmimi i Kritikës së Filmit. Përbëhet nga Deborah Young (Drejtore Artistike e Festivalit të Taorminës, gazetare dhe kritike filmi) Ben Andoni (Revista MAPO), Milena Selimi (Revista KULT).
Prej Kanës së 2008-ës vijnë edhe dy filma që prezantojnë si një zë kinemanë italiane, së cilës i kushtohet Takime të ngushta. Drejtoresha artistike thotë se "çdo vit, ky seksion do të fokusohet tek një vend evropian dhe do të prezantojë filmat më të mirë të tri viteve të fundit. Për 2009-ën, fokusi do t`i kushtohet kinemasë Italiane.
Janë zgjedhur "Gomorra" i Matteo Garrone-s, "Autobusi i natës" i Davide Marengos dhe një tjetër film i vlerësuar me nota të larta nga kritika, "Il Divo" i Paolo Sorrentino-s, i cili mbyll festivalin e Durrësit më 29 gusht.
Tingujt e Muzikës është një tjetër program special i festivalit, që i kushtohet rolit të kompozitorit në film. Është menduar që të ketë formën e një forumi kompozitorësh, ku çdo vit do t'i dedikohet si homazh një kompozitori të ftuar, i cili do të mbajë një masterclass në Durrës, duke i ofruar audiencës filmat e tij të preferuar. Varfi ka pohuar se shtysë për këtë program ka marrë nga Jan Harlan producent i Stanley Kubrick-ut. Vitin e kaluar ai mbajti disa workshop në Durrës dhe Tiranë për kinemanë e regjisorit amerikan dhe rolin e muzikës në filmat e tij.
Këtë vit është ftuar kompozitori Henning Lohner, i cili do të zhvillojë master classe për imazhin, muzikën dhe fjalën në film.
Retrospektiva i kushtohet regjisorit shqiptar, më të lakuarit në historinë e derisotme të kinemasë shqiptare, Dhimitër Anganosti, prej të cilit do të projektohet filmi i tij i fundit "Gjoleka biri i Abazit" (2006), më 26 gusht në Teatrin "Aleksandër Moisiu," në orën 10.00.
Do të ketë edhe një film të ri fare nga Kosova. Shfaqet jashtë konkurrimit filmi "Ama dorën", i Ismet Sijarinës, prodhim i vitit 2009, është një film bazuar në një histori të vërtetë dhe sjell një realitet social të Prishtinës sot.
Edicioni II i ISFF-së vjen si organizim Bashkisë së Durrësit, në patronazhin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe vetë ministrit të saj, Ardian Turku, i cili është prezantuar dje me cilësinë e presidentit të festivalit.
Vizione bashkëkohore:
"Të lumtur së bashku" ("Happy Together") Enthoven Geoffrey, Belgjikë 2008, 93 min.
"Hellsinki" Aleksi Mäkelä, Finlandë, 2009, 133 min.
"Bota është shumë e madhe dhe shpëtimi fshihet diku afër" ("The world is big and salvation lurks around the korner") Stephan Komandarev, Bullgari/Gjermani/Hungari/Slloveni, 2008, 105 min.
"La pivellina" Tizza Covi/Rainer Frimel, Austri/Itali, 2009, 100 min.
"Motra e Katias" ("Katia's Sister"" Mijke de Jong, Holandë 2008, 85 min.
"Përgjithmonë" ("Forever") Damjan Kozole, Slloveni, 2008, 82 min.
"Palermo Shooting" Wim Wenders, Gjermani/Francë/Itali, 2008, 124 min.
"Ricky" Francois Ozon, Francë/Itali, 2009, 90 min.
"Karamazovët" ("The Karamazovs") Peter Zelenka, Çeki//Poloni, 2008, 100 min.
Botë Ballkanike
"Rruzarja e gabuar" ("Wrong Rosary") Mahmut Fazil Coskun, Turqi, 2009, 90 min.
"Pa krahë" ("Wingless") Ivo Trajkov, Çeki/Maqedoni, 2009, 90 min.
"Të zinjtë" ("The Blacks") Goran Devic/Zvonimir Juric, Kroaci, 2009, 75 min.
"Vajza më e lumtur në botë" ("The happiest girl in the world") Radu Jude, Rumani/Holandë/Francë 2009, 90 min.
"Më shiko" ("Look at me") Marija Perovic, Mali Zi, 2008, 100 min.
"Aragosta" ("Crayfish") Ivan Cherkelov, Bullgari, 2009, 108 min.
"Mali përballë" ("The mountain in front") Vassilis Douros, Greqi, 2008, 105 min
"Tre Majmunët" ("Three Monkeys") Nuri Bilge Ceylan, Turqi/Francë, 2008, 109 min.
"Gjallë!" ("Alive!") Artan Minarolli, Shqipëri/Austri/Francë, 2009, 90 min.
Çmimet e ISFF 2009
Golden Gladiator - Filmi më i mirë
Çmimi i Jurisë - Regjisori më i mirë
Filmi më i mirë Ballkanik
Golden Gladiator - Çmimi i Karrierës
Çmimi i Kritikës së Filmit
Aktori më i mirë
Aktorja më e mirë