Pensionet, rritja për tre vitet e ardhshme
Buxheti i qeverisë për vitet 2010-2012, për rritjen e pensioneve. Përfitojnë 530 mijë pensionistë
Buxheti i tre viteve të ardhshme parashikon një fond prej 83 milionë dollarësh për rritjen e pensioneve
Rritja e pensioneve do të vazhdojë edhe për tre vitet e ardhshme. Vetëm për vitin 2010-të, qeveria ka miratuar një fond kontigjence për rritjen e pensioneve në masën 2.7 miliardë lekë.
Vendimi "Për miratimin e kuadrit makroekonomik dhe treguesve fiskalë 2010-2012", i miratuar në Këshillin e Ministrave parashikon një fond kontigjence prej rreth 83 milionë dollarësh për rritjen e pensioneve. Ky fond është i ndarë përgjatë vitet 2010, 2011 dhe 2012. Fondi i lënë për rritjen e pensioneve është thuajse i njëjtë në tre vitet. Rreth 530 mijë pensionistë pritet të përfitojnë mesatarisht një fond prej 27 milionë dollarësh rritje në tre vitet e ardhshme.
Për vitin 2010, fondi i lënë në dispozicion si kontigjencë për politika pensionesh është 2.7 miliardë lekë. Në vitin 2011, kjo shumë do të ulet me 100 milionë lekë, për t'iu fiksuar në 2.6 miliardë lekë. Ndërsa në vitin 2012, shuma e lënë për rritjen e pensioneve parashikohet të pësojë rritje. Gjatë këtij viti, për pensionistët qeveria pritet të miratojë një shtesë prej 2.9 miliardë lekësh. Pensionet do të rriten në masa të ndryshme, në varësi të llojit të tyre. Masa e rritjes së pensioneve për vitin 2010, pritet të bëhet publike nga qeveria, e cila ka nisur përgatitjet për buxhetin e vitit të ardhshëm. Zyrtarë të saj thanë se procesi i hartimit të buxhetit për vitin e ardhshshëm pritet të përfundojë brenda muajit gusht. Gjatë viteve të fundit, qeveria ka aplikuar një rritje të diferencuar për pensionet e qytetit dhe ato të fshatit.
Në muajin maj të këtij viti, pensionet e qytetit dhe fshatit u rritën nga 8 deri në 20 për qind. Vendimi, i cili preku 530 mijë pensionistët në të gjithë vendin, parashikonte një rritje në masën 951 lekë në muaj për pensionin e plotë minimal të qytetit. Pas këtij vendimi, pensioni minimal i plotë arriti 10.466 lekë, ndërsa ai maksimal me u rrit me 1900 lekë, për të arritur në 20.933 lekë. Të ardhurat minimale nga pensionet e plota të pleqërisë në qytet, pas 1 majit të këtij viti, ku përfshihen edhe kompensimet për energjinë elektrike, etj., nuk janë më të vogla se 12,226 lekë në muaj, ndërsa të ardhurat minimale nga pensionet e plota të fshatit janë 7130 lekë në muaj.