E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Të shtohen veprat, për të cilat ndalohet falja

Marrëdhëniet seksuale me dhunë, trafikimi i fëmijëve dhe prostitucionit, tradhtia ndaj atdheut disa nga veprat e shtuara


Partia Socialiste për t'i prerë rrugë përdorimit të të burgosurve në fushata elektorale siç ajo pretendon se ndodhi në zgjedhjet e shkuara parlamentare, kërkon që të sanksionohet me ligj që kreu i shtetit të mos përdorë të drejtën e tij të faljes 3 muaj para datës së zgjedhjeve të dekretuara prej tij.


Ky propozim është pjesë e një sërë amendamentesh që deputetët socialistë Vasilika Hysi, Armando Subashi dhe Ermonela Felaj kanë paraqitur në Komisionin e Ligjeve për projektligjin për faljet që dje ka nisur të diskutohet nen për nen.


Tre deputetët socialistë kërkojnë që në nenin 10 të shtohet një pikë, sipas së cilës "presidenti nuk mund të dekretojë faljen e një të dënuari 3 muaj para dhe pas datës së zgjedhjeve të përgjithshme të dekretuara prej tij".


Në amendimet e propozuara nga deputetët Hysi, Subashi dhe Felaj kërkohet ndërmjet të tjerave përjashtimi i personave juridikë nga falja, si dhe shtimi i kritereve ndaluese.


Më konkretisht, ata propozojnë që në nenin 5 ku përcaktohen kriteret ndaluese për faljen e dënimit, në pikën "d" të tij falja e dënimit të ndalohet jo vetëm për veprën penale të gjenocidit apo krime lufte ose krime kundër njerëzimit, por dhe një sërë veprash të tjera.


"Personi është dënuar me veprën penale të genocitid, krime kundër njerëzimit, krime lufte, vrasja me paramendim, vrasja në rrethana të tjera cilësuese, marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç, rrëmbimi ose mbajtja peng e personit, trafikimi i personave, shfrytëzim i prostitucionit në rrethana rënduese, trafikimi i femrave, trafikimi i të miturve, vjedhja me pasojë vdekje, dorëzimi i territorit, dorëzimi i forcave të armatosura, atentati, vepra me qëllime terroriste, financimi i terrorizmit, organizata terroriste, banda e armatosur, trafikimi i narkotikëve, organizimi dhe drejtimi i organizatave kriminale, organizata kriminale".


Në nenin 10 gjithashtu kërkohet të shtohet një tjetër pikë ku të saktësohet se ministri i Drejtësisë është përgjegjës për respektimin e kritereve ligjore në çdo rast të propozuar prej tij ndaj Presidentit të Republikës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›