BE: Është momenti i fundit për të zgjidhur krizën

Takimi i Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE i bën apel klasës politike të pranojë zgjidhjen e ofruar
Këshillit i vjen keq që nisma e lehtësimit nuk ka gjetur ende mbështetjen e mjaftueshme që t'i mundësojë qeverisë dhe opozitës për të kapërcyer dallimet e tyre
LUKSEMBURG - Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian i kërkon klasës politike që të zgjidhë sa më parë krizën politike që ka përfshirë vendin prej muajsh.
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian të mbledhur dje në Luksemburg ndërmjet të tjerave kanë konkluduar me një qëndrim të qartë edhe për situatën politike shqiptare, duke vlerësuar se është koha për të gjetur një zgjidhje ndaj krizës aktuale, mbi një bazë që do të respektohet në periudhë afatgjate.
"Është momenti i fundit për të gjetur një zgjidhje ndaj krizës aktuale, mbi një bazë që do të respektohet në periudhë afatgjate", - thuhet në konkluzionet e mbledhjes së Ministrave të Jashtëm të BE-se.
Në konkluzionet e publikuara në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave të Jashtëm, krerët e diplomacive të vendeve anëtare ndërsa vlerësojnë vendimin e opozitës për tu rikthyer në Kuvend, shprehen të zhgënjyer për refuzimin që i është bërë kompromisit të ofruar nga krerët e dy grupeve më të mëdha të Parlamentit Europian për zgjidhjen e kësaj situate. "Këshilli vazhdon të jetë i shqetësuar për situatën politike në Shqipëri, pas zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit 2009.
Ai mirëpret kthimin e opozitës në Parlament në përputhje me iniciativën e lehtësimit nga deputetët Daul dhe Schulz, në emër të grupeve të tyre politike, e cila u mbështet nga Përfaqësuesit të Lartë dhe nga Komisioneri Fyle.
Këshillit i vjen keq, se nisma e lehtësimit nuk ka gjetur ende mbështetjen e mjaftueshme që t'i mundësojë qeverisë shqiptare dhe opozitës për të kapërcyer dallimet e tyre", - thuhet në konkluzionet e ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian.
Propozimi i draftit nga përfaqësuesit kryesorë në Parlamentin Europian që u është drejtuar liderëve politikë shqiptarë, ka gjetur vetëm mbështetjen e opozitës dhe kreut të saj, Edi Rama, i cili ka shprehur gatishmërinë e tij për ta firmosur, ndërkohë që mazhoranca e ka mohuar ekzistencën e një drafti të tillë dhe për më tepër Kryeministri Sali Berisha nuk ka pranuar të flasë mbi këtë çështje.
Për këtë arsye, ministrat e Jashtëm të BE-së kërkojnë që të gjendet një zgjidhje e krizës, e cila t'i qëndrojë testit të kohës. Këshilli specifikon se është përgjegjësia kryesore e qeverisë shqiptare, e cila duhet të gjejë zgjidhjen e krizës së bashku me opozitën në përputhje me transparencën dhe respektimin e plotë të Kushtetutës.
Ndërkaq, opozita e ka shprehur vullnetin e saj politik për arritjen e një kompromisi politik përmes këtyre dy elementëve (respektimit të Kushtetutës dhe transparencës), ndërsa shumica në pushtet deri më tani ka qenë kategorike në qëndrimin e saj, duke mospranuar që transparencën të bëhet edhe nëpërmjet fletëve të votimit.
"Këshilli përsërit se ajo është përgjegjësi e qeverisë së Shqipërisë së bashku me opozitën për të gjetur menjëherë, në mënyrë transparente dhe në respektim të plotë të Kushtetutës shqiptare, zgjidhjet dhe rrugët që çojnë përpara, e cila do të jetë e nevojshme për vendin në udhën e vet", - shkruhet më tej në përfundimet e Këshillit mbi situatën politike.
Ministrat e Jashtëm të BE-së i kërkojnë gjithashtu qeverisë shqiptare që të vazhdojë reformat e saj për zbatimin në kohë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Krerët e diplomacive të Europës theksojnë edhe faktin se shqyrtimi i kërkesës që ka dorëzuar Shqipëria në prill të vitit të kaluar për t'u anëtarësuar në BE do të bëhet në përputhje me kriteret e Kopenhagenit. Këto kritere kërkojnë para së gjithash qëndrueshmërinë politike dhe plotësimin e kriterit politik për të përfituar statusin e vendit kandidat për në BE.
Për këtë arsye, në përfundimet e ministrave të Jashtëm, specifikohet se ata do t'i rikthehen kësaj çështjeje në momentin kur Komisioni Europian të ketë paraqitur opinionin e tij mbi Shqipërinë.
"Këshilli inkurajon Shqipërinë që të vazhdojë me reformat e nevojshme për zbatimin në kohë të Marrëveshjes së Stabilizimit - Asociimit, duke marrë parasysh prioritetet e Partneritetit Europian, dhe ai e rithekson mbështetjen e saj për perspektivën europiane për vendin.
Këshilli kujton se kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në BE, të dorëzuar në prill 2009, do të vlerësohet në pajtim me parimet e përcaktuara në Traktatin e BE-së dhe të kritereve të përcaktuara nga Këshilli Europian i Kopenhagenit në 1993, si dhe në dhjetor 2006, konkluzionet e Këshillit Europian të konsensus rinovohet për zgjerimin. Këshilli pranon të kthehet çështjes, kur Komisioni Europian të ketë paraqitur opinionin e tij", - përfundojnë ministrat e Jashtëm të BE-së.
Mbledhja e Këshillit të Ministrave të Jashtëm diskutoi një sërë çështjesh, si Irani, Lindja e Mesme dhe Ballkani Perëndimor, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Takimi u drejtua nga kryediplomatja e BE-së, Katerinë Ashton.