E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mazhoranca, tre seanca dëgjimore për dekretet e Topit

Të hënën nisin seancat dëgjimore për të emëruarit në Gjykatën e Lartë. Çdo ditë një kandidat


Kuvendi kërkon informacion shtesë nga Prokuroria, KLD, ILDKP, Ministria e Drejtësisë. Shqyrtimi i dekreteve në kundërshtim me rregulloren

Dekretet e Presidentit të Republikës për emërimin e tre gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë do diskutohen në fillim të javës së ardhshme.


Komisioni i Ligjeve ka miratuar dje kalendarin e punimeve të tija trejavore dhe ka vendosur që javën e ardhshme të hapë seancën dëgjimore me secilin prej tre kandidatëve, ndërsa do të shqyrtojë dhe dosjet respektive me informacionet e ardhura nga një sërë institucionesh si Prokuroria, KLD, Ministria e Drejtësisë, ILDKP etj., mbi perfomancën e të dekretuarve.


Kalendari


Komisioni i Ligjeve ka përfshirë në kalendarin e tij trejavor (14 qershor-1 korrik) edhe diskutimin e tre të dekretuarve nga kreu i shtetit për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Por ndryshe nga sa është praktikuar më parë tre gjyqtarët e dekretuar nuk do të thirren në një seancë të vetme dëgjimore.


Kështu duke iu referuar amendimeve ende të pamiratuara të rregullores së Kuvendit, drejtuesit e komisionit kanë vendos që të zhvillojnë jo një, por minimumi tre seanca dëgjimore, çdo ditë një seancë për çdo njërin prej tre të dekretuarve.


Sipas këtij programimi, pritet që të hënën, e datës 21 qershor të thirret ne seancë pyetjesh gjyqtari Medi Bici, të martën e një dite me pas Sokol Çomo dhe të mërkurën e po asaj jave Vexhi Muçmataj.


Duke informuar deputetët lidhur me këtë kalendar, kreu i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, theksoi se "seancat dëgjimore do të marrin kohë kështu që nuk ka asgjë të keqe ne i kemi marrë sipas radhës së dekreteve, kemi caktuar tre ditë për të tre, kalendari na e lejon kështu që nuk ka problem për këtë".


Konstatim ky që duket se bie në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit, pasi komisioni parashikon se ka afate për të shqyrtuar dekretet javën e ardhshme, duke marrë të mirëqenë ndryshmin që mund t'i bëhet këtij dokumenti parlamentar gjatë kësaj jave në seancë plenare.


Sipas rregullores aktuale në fuqi, dekretet në fjalë duhet të diskutohen brenda kësaj jave, pasi në të kundërt ato kalojnë afatin 3-javor të paraqitjes së tyre.


Por, duke paragjykuar vendimmarrjen e seancës së ardhshme plenare ku është parashikuar votimi i amendimeve të Rregullores së Kuvendit, mazhoranca i ka dhënë vetes 8 javë kohë për të kryer një proces të tillë diskutimi për dekretet e presidentit.


Seanca


Seancat dëgjimore që kanë parashikuar përfaqësuesit e mazhorancës do të sjellin një risi në aktivitetin parlamentar për sa i përket shqyrtimit të emërimeve në institucionet kushtetuese.


Kjo pasi për tre emërimet për në gjykatën e lartë, përfaqësuesit e popullit kanë kërkuar informacion të detajuar nga një sërë institucionesh shtetërore që mund të kenë informacion të plotë mbi veprimtarinë e shkuar apo të tashme të kandidatëve të propozuar.


Kreu i komisionit, Ilir Rusmali, ka bërë të ditur dje se në emër të deputetëve i ka kërkuar informacion plotësues nga një sërë organesh shtetërore si Prokuroria, KLD, ILDKP, Ministria e Drejtësisë etje.


"Kam përcjellë disa kërkesa në disa nga institucionet lidhur me performancën e këtyre njerëzve te institucionet që kanë lidhje, prokuroria, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Ministria e Drejtësisë, ILDKP, diku te Drejtoria e Përgjithshme Taksave dhe Tatimeve për një rast, Dhoma e avokatisë. Këto institucione që kanë pikët e kontaktit dhe mund të japin informacion.


I kam kërkuar që informacionin ta sjellin përpara se ne të fillojmë seancat", - tha Rusmali. Gjithashtu, në seancat dëgjimore deputetët do të kenë mundësi që një pjesë të mirë të përgjigjeve t'i kenë paraprakisht me shkrim nga secili kandidat.


Disa deputetë të djathtë, ka bërë të ditur Rusmali i kanë nisur me shkrim kandidatëve pyetjet e tyre dhe gjithashtu përgjigjet pritet të vijnë në të njëjtën mënyrë. Kreu i Komisionit të Ligjeve ka bërë të ditur gjithashtu se në rast se do të lind nevoja mund të zhvillohet edhe më shumë se një seancë dëgjimore për secilin kandidat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›