PS: Topalli na trajton si punëtorë me mëditje

Deputetët e Partisë Socialiste kanë ndërmarrë dje një sulm të përqendruar ndaj Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, për analizimin që iu është bërë për heqjen e 90% të pagës. Në diskutimet e djeshme në Parlament, deputetët e PS-së kanë kaluar në kundërsulm, duke e akuzuar Topallin si shkelëse e të drejtave të opozitës. Deputetja Olta Xhaçka deklaroi në fjalimin e saj në Kuvend se “zonja kryeparlamentare ka shkelur e vazhdon të shkelë me të dyja këmbët Kushtetutën dhe ligjet e vendit, rregulloren e Kuvendit e që së fundmi ka shkelur statusin e deputetit, duke i katandisur përfaqësuesit e popullit në punëtorë me mëditje. Ndërkaq, edhe deputeti Damian Gjiknuri, i cili në fjalimin e tij është përqendruar në çështjen e zgjedhjes politike dhe rregullores së Kuvendit, ka akuzuar kryeparlamentaren Topalli se po shkel të drejtat e deputetëve. Duke iu drejtuar kolegëve të tij të së djathtës, zoti Gjiknuri theksoi se nuk është shkelur e drejta vetëm për çështjen e rrogës, e cila është një e drejtë që e garanton ligji, por edhe më thellë, te të drejtat e parlamentarizmit për të kontrolluar qeverisjen. Sipas Gjiknurit, asnjë deputet nuk ka të drejtë të marrë qoftë edhe një shkresë apo informacion nga dikasteret apo qeverisja pa vënë firmën e saj “zonja Jozefinë”, siç e theksoi deputeti socialist. Kryeparlamentarja Topalli nuk ka qëndruar pa replikë, pa iu përgjigjur dhëmb për dhëmb, duke iu përmendur dieta. “Unë respektoj të drejtën tuaj, por përshëndes administratën, e cila i ka rezistuar presionit tuaj për të mos iu dhënë dietat për ditët e grevës”, deklaroi kreu i Kuvendit. Deputeti socialist, Taulant Balla, ka shkuar më tej, duke dalë në akuza konkrete ndaj drejtueses së Parlamentit. Deputeti Balla ka deklaruar se “Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka harxhuar deri tani 27 mijë e 300 euro dieta jashtë shtetit, ndërkohë që ka blerë në Shkodër një shtëpi që kushton 17 mijë euro”. Balla i ka kërkuar Topallit të mos e përmendë grevën e urisë. Por, kryeparlamentarja i është kundërpërgjigjur, duke thënë se daljet e saj jashtë vendit janë pjesë e “diplomacisë parlamentare”. “Kemi kaluar pa qenien tuaj në seancë të 107 ligjeve. Diplomacia parlamentare ka luajtur një rol të madh në liberalizimin e vizave, por mund të përsëris se s’ka dieta për ditët e grevës. Për muajin maj, deputetët e Partisë Socialiste kanë marrë në zarfet e tyre të pagës vetëm 19 mijë lekë, e cila është e barabartë me pagën minimale. Deputetët e majtë nisën punën në Kuvend me kohë të plotë në fund të muajit maj, ku morën pjesë në seancën e fundit plenare për këtë muaj, si dhe në disa mbledhje komisionesh. Kjo pjesëmarrje e tyre është vlerësuar vetëm 19 mijë lekë, duke marrë për bazë vendimin e datës 20 maj të Kuvendit, i cili përcakton raportet e reja përbërëse të pagës së deputetëve.
#