Bleona, kërkime në shtëpitë e braktisura
Pas dy javësh kërkimesh të lodhshme nëpër bjeshkët e Koritnikut dhe të Sharrit për të gjetur 6-vjeçaren nga Zapodi e cila ka humbur pa gjurmë, policia tani po intensifikon kërkimin operativ. Burime të policisë në Kukës tregojnë se, ndonëse nuk është hequr dorë zyrtarisht nga kërkimi nëpër mal, efektivët pothuajse janë tërhequr në zonat e banuara dhe po kontrollohen fillimisht shtëpitë e braktisura nëpër fshatrat e zonës.
Vajza 6 vjeçe, Bleona Mata, u zhduk në pasditen e datës 22 maj 2010 në Zapod, në afërsi të shtëpisë, ndërsa shkonte me bagëtitë në kullotë bashkë me disa vajza të rritura. Që nga ajo ditë, dhjetëra efektivë të Policisë së Kukësit, por edhe të Dragashit në Kosovë, si dhe qindra banorë të zonës kanë kërkuar pa ndërprerë nëpër male dhe nëpër bjeshkë, në ndjekje të një piste sipas të cilës 6-vjeçarja mund të ishte sulmuar nga kafshët e egra, por pa mundur të gjejnë ndonjë gjurmë.
Ditët e fundit edhe skuadra të specializuara të Prokurorisë së Krimeve të Rënda vazhdojnë të kërkojnë, por nuk kanë gjetur asnjë gjurmë të vajzës së humbur.
Të vetmit persona që kanë qenë me Bleonën orën e fundit janë pesë vajza të rritura, përfshi hallën e të humburës, 23 vjeçe. Këto janë thirrur në polici të paktën dy herë për t’u marrë në pyetje. Dëshmitë e deritanishme të vajzave thonë se vogëlushja u zhduk pa gjurmë ndërsa ata po mblidhnin bagëtitë. Mirëpo, një dëshmi tjetër e dhënë ditët e fundit nga ana e gjyshes së Bleonës, nënës së babait, hedh dyshime për vetë vajzat. Ajo i qëndron idesë së shprehur edhe për policinë se, në ditën e humbjes së vajzës ajo ka parë me sytë e saj një djalë të ri me xhup të zi, që i ndiqte vajzat e rritura në drejtim të malit. Por vetë vajzat thonë se nuk dinë gjë.
Drejtues të policisë së Qarkut të Kukësit tregojnë se dëshmia e plakës është analizuar dhe po kërkohet në këtë drejtim, por nuk bëhen publike masat në kërkim. “Ne po hetojmë intensivisht edhe në këtë pistë, por ende nuk kemi një rezultat zyrtar për ta bërë të njohur”, tha drejtori i policisë së qarkut, Sadri Ramçaj.
Të dyshuaritDrejtori i Policisë së Qarkut të Kukësit thotë se rrethi i personave të dyshuar është mjaft i gjerë, por do të duhen prova bindëse për të ndërmarrë veprime ndaj tyre. Familjarët e Bleonës i kanë kërkuar policisë që të ndërmarrë kontrolle në banesat e zonës me shpresë se vajza mund të mbahet e mbyllur, por nga ana e tij drejtori Ramçaj tha se nuk kishte një autorizim për veprim të tillë, ndërkohë pohoi se hetimi po kryhej me mjete shumë të sofistikuara për një numër personash.
#