E Diel, 1 Nëntor 2026

Incidenti, Garda, kallëzim penal deputetëve të PS-së

Komandanti i Gardës tha se punonjësit e Gardës u sulmuan nga deputetët Harasani dhe Hysa

Ndaj incidentit të ndodhur dje në ambientet e brendshme të Kuvendit midis deputetëve Harasani-Hysa dhe punonjësve të shërbimit të sigurisë, ka reaguar në mënyrë zyrtare edhe institucioni i Gardës së Republikës. Nëpërmjet një deklarate për mediat, këshilltari ligjor i Komandantit të Gardës së Republikës, Renaldo Kruja, ka sqaruar se punonjësit e Gardës jo vetëm që nuk kanë provokuar asnjë incident, por janë viktima të sulmit të deputetëve. Sipas tij, punonjësit e shërbimit të sigurisë në Kuvend nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë zbatuar Rregulloren e Brendshme të Kuvendit, duke kërkuar nga dy deputetët, Andis Harasani dhe Ndriçim Hysa, që t’i nënshtroheshin kontrollit të detyruar. “Me datë 11.09.2008, ora 10:30, gjatë kryerjes së shërbimit nga strukturat e Gardës së Republikës në sallën e seancave plenare, në hyrje, deputetët z.Ndriçim Hysa dhe z.Andis Harasani mbanin në dorë objekte që ndalohen të futen në Kuvend. Mbështetur në pikën 1 të Vendimit të Byrosë së Kuvendit Nr.11, datë 01.03.2006, shërbimi i brendshëm i Gardës së Republikës në përmbushje të detyrës kërkoi dorëzimin e këtyre objekteve. Deputetët jo vetëm që nuk iu bindën kësaj kërkese, por duke ofenduar dhe ushtruar forcë tentuan të futen në sallë. Të dy deputetët, por në mënyrë të veçantë deputeti Andis Harasani ka goditur me grushte punonjësit e Gardës së Republikës, Komandantin e Shërbimit, z.Arben Nika dhe nënoficerin e shërbimit, z.Ilir Çelmeta, të cilët si pasojë e goditjeve janë gjakosur. Për këtë incident është informuar Kryetarja e Kuvendit dhe Ministri i Brendshëm”,- u shpreh oficeri i Gardës, Renaldo Kruja. Gjithashtu ai ka bërë të ditur se për këtë incident, punonjësit e shërbimit që janë dëmtuar nga kjo ngjarje do të ndjekin rrugën ligjore për të zbardhur të vërtetën. “Për këtë incident, punonjësit e shërbimit do të bëjnë kallëzim penal. Theksojmë se Garda e Republikës në kryerjen e detyrave zbaton vetëm ligjin, të cilit duhet t’i binden të gjithë”, - përfundoi deklaratën oficeri i Gardës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›