E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Vendi është pushtuar nga krimi dhe korrupsioni, Berisha të japë llogari

Tiranë- Pas deklaratave të kryeministrit Berisha në drejtim të Partisë Socialiste në mbledhjen e qeverisë, ka reaguar kjo e fundit duke thënë se kreu i ekzekutivit duhet të përgjigjet për rritjen e kriminalitetit dhe korrupsionit në vend.

Gjatë një deklarate për mediat sekretari për Programin në PS, Ilir Beqja, u shpreh se në vend grabitjet po kryehn nënë hundën e policisë, por edhe korrupsioni ka kapur shifra të larta. Sipas tij këto janë problemet që duhet të flasë Berisha dhe jo të sulmojë PS- në.

Saliu duhet të flasë për korrupsionin e tmerrshëm në shërbimin doganor të denoncuar publikisht nga njerëz brenda këtij shërbimi, por heziton. Tek ky korrupsion janë shkaqet e deficitit dhjetëra milionë dollarësh të krijuar në 7 muaj nga administrate fiskale. Përgjigja e regjimit të Saliut është kërcënim për denoncuesin që detyrohet të arratiset nga Shqipëria pas 21 vjetësh të ndryshimit të sistemit politik. Saliu duhet të flasë për korrupsionin në prokurime publike, pas evidentimit në publik të hetimit që ka bërë Autoriteti i Konkurrencës, pas gjetjeve të Kontrollit të Lartë të shtetit, por heziton. Për fat të keq edhe prokurimi elektronik na rezultoi një tjetër dështim spektakolar i qeverisjes dixhitale të Sali Berishës,- tha Beqja.

Më tej ai deklaroi se një tjetër problem shqetësues që duhet të gjejë zgjidhje është rritja e borxhit publik, pasi sipas tij ai ka arritur në mbi 800 miliardë lekë.

Financat publike nuk përmirësohen me zëra që dërgon mazhoranca qeverisëse për rritjen e kufirit të borxhit publik. Nuk mund ta zgjidhin çështjen e borxhit të njëjtët njerëz që kanë miratuar në mënyrë të përsëritur buxhete vjetorë të parealizueshëm.
Dhe për të ardhur tek koncesionet e HEC-ve apo të sektorëve të ndryshëm. Ne e kemi denoncuar politikën e koncesioneve të pakërkuar si klienteliste, në dëm të interesave të shqiptarëve, të korruptuar,- vijoi Beqja.

Në përfundim ai u shpreh se nëse Partia Socialiste vjen në pushtet do të rishikojë të gjitha kontratat e partneritetit publik privat dhe do të kërkojë anulimin e të gjitha atyre marrëveshjeve që shkelin ligjin, në kushtet e konfliktit të interesit dhe në dëm të interesit të shqiptarëve

Kliti Topalli/IDEA/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›