E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Votimi i Kodit detyrim, tani të merremi me kartat

Një ditë pas miratimit të Kodit Zgjedhor në Parlament, Partia Socialiste deklaron se kreu vetëm detyrën e saj. Në një prononcim për median sekretari organizativ i kësaj partie tha se detyra tani është garantimi i Kodit dhe pajisja me karta identiteti 

TIRANE-  Partia Socialiste e konsideroi si plotësim të detyrës së saj miratimin e Kodit të ri Zgjedhor dje në Parlament, kundër të cilit 10 deputetë të LSI, PDK dhe PS- 91 zhvilluan një grevë urie. Në një prononcim për median sekretari organizativ i kësaj partie Blendi Klosi e cilësoi si një “proces ku PS investoi energji dhe besueshmëri në të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve”.

Për Partinë Socialiste dje u mbyll pjesa e parë e procesit ndërsa sot hapet pjesa e dytë, e cila ka të bëjë me garantimin e Kodit të ri Zgjedhor dhe të një Regjistri Kombëtar zgjedhësish dhe pajisjen me karta identiteti për çdo votues.
”Përgjegjësia jonë deri dje ishte të realizonim kodin, sot e deri në zgjedhje është të mos e lejojmë Sali Berishën dhe qeverinë e tij ta rrezikojë vënien në jetë të tij duke iu shmangur përgjegjësisë kushtetuese e ligjore për të garantuar infrastrukturën zgjedhore.”- tha Klosi.

Në emër të Partisë Socialiste, sekretari organizativ Blendi Klosi, nëpërmjet disa pyetjeve i bëri apel qeverisë për të dhënë një përgjigje konkrete për cështjet më poshtë: Kur Regjistri Kombëtar Elektronik i Gjendjes Civile do të konsiderohet i përfunduar? Kur çdo zyrë të gjendjes civile do të nxjerrë nga ky regjistër listat paraprake të zgjedhësve për çdo qendër votimi? Kur do të fillojë prodhimi i kartave të identitetit dhe cila do të jetë dinamika e shpërndarjes së tyre? Si do të veprohet konkretisht në praktikë për të pajisur me prioritet me karta identiteti ata zgjedhës që nuk kanë pasaporta?

(s.g/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›