E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Urgjent një Strategji kundër Gjakmarrjes

Nga Daniela Bonollari
Kreu i shtetit, Topi thirri sot mbledhjen e Këshillit Koordinues në Luftën kundër Gjakmarrjes. Ne mbledhje, Presidenti kërkoi hartimin e një Strategjie Kombëtare që do të parandalonte fenomenin që ekziston prej shekujsh në Shqipëri 

TIRANE-Fenomeni i Gjakmarrjes në vendin tonë është vlerësuar si tepër shqetësues nga Presidenti Bamir Topi. Në nje takim me krere te drejtesise, Presidenti kërkoi hartimin e një strategjie të qartë Kombëtare që do të parandalonte fenomenin që ekziston prej shekujsh në Shqipëri.
  Sic informon zyra për shtyp e Presidentit, në këtë kuadër kreu i shtetit, Bamir Topi thirri sot paradite në Pallatin e Brigadave mbledhjen e Këshillit Koordinues në Luftën kundër Gjakmarrjes.
Pjesëmarrësit në takim kanë qënë, Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, Zëvendëskryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, Zëvendësministri i Drejtësisë, Viktor Gumi, Kryetari i Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Tritan Shehu dhe Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj.

  Në krye të takimit, Presidenti Topi vuri në dukje rëndësinë që ka funksionimi i këtij Këshilli për të vënë në punë të gjitha strukturat shtetërore për një përfshirje jo thjesht ligjore në luftën kundër këtij fenomeni mjaft kompleks. Sipas Topit ky fenomen tani është kthyer në një anomali sa i përket fazës integruese ku ndodhet vendi.
Kryetari i Shtetit nënvizoi qëllimin e punës së këtij Këshilli, pikërisht “evidentimin e drejtimeve për hartimin e strategjisë kombëtare për luftën kundër gjakmarrjes...si dhe nxitjen e koordinimit e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shtetërore dhe organizatave jofitimprurëse kundër fenomenit të gjakmarrjes”.

  Sipas të njëjtave burime, Presidenti Topi ka nënvizuar se edhe për fenomenin e gjakmarrjes, dominant duhet të jetë shteti i së drejtës dhe veprimi i koordinuar i ligjit kudo e ndaj kujtdo, për çdo fenomen të kriminalitetit.
”Pa një veprim të koordinuar dhe me afate të përcaktuara që përfshin dhe kërkon kontributin e të gjitha Institucioneve, Kuvendit, Këshillit të Ministrave, organeve të sigurisë kombëtare, pushtetit vendor dhe drejtësisë, lufta kundër gjakmarrjes, nuk mund të ketë sukses”.
  Të pranishmit, emra të njohur të fushës së drejtësisë bënë një paraqitje të situatës dhe problematikave të gjakmarrjes në vend. Ata shprehën gatishmërinë institucionale për t’u angazhuar në hartimin e strategjisë kombëtare kundër fenomenit të gjakmarrjes.

(d.b/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›