Rustem Gjata: “Ja cilat jane kriteret e kandidateve per ne Gjykaten e Larte”
Eljona Ballhysa
Grupi i Punës, i ngritur nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, do të mblidhet ditën e hënë për të përcaktuar kriteret për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Një nga anëtarët e grupit të punës pranë presidentit, konstitucionalisti i njohur, Rustem Gjata, bëri të ditur dje për gazetën “Albania” se ditën e hënë do të hartohet një program pune për të qartësuar dhe mënyrën e procedimit të mëtejshëm për përzgjedhjen e kandidatëve.
Deklarata
“Grupi i punës është një nismë pozitive e ndërmarrë nga Presidenti i Republikës. Hapi i parë është hedhur me krijimin e këtij grupi profesionistësh. Ne do të mblidhemi ditën e hënë për të zhvilluar një mbledhje në të cilën do të hartojmë një program pune, një plan-veprimi. Ne do të përcaktojmë dhe kriteret për përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, natyrisht duke u konsultuar me të gjithë legjislacionin në fuqi për këtë çështje”, - është shprehur konstitucionalisti Gjata. Në faqen zyrtare në internet të institucionit të Presidentit të Republikës është publikuar dhe një njoftim, në të cilin paraqiten disa nga kushtet që duhet të plotësojnë kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Në bazë të këtij njoftimi kandidatët duhet të paraqesin pranë grupit të punës së ngritur nga presidenti Topi një dosje e cila të përmbajë kopje të diplomës dhe listë notash, kopje të titujve shkencorë, kopje të kualifikimeve pasuniversitare brenda e jashtë vendit, kopje të shkrimeve e botimeve në fushën e Drejtësisë, vërtetim nga institucioni ku ka punuar, se gjatë 8 viteve të fundit nuk ka marrë masë disiplinore si dhe çdo lloj dokumenti tjetër që pasuron CV-në e kandidatit. Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e zhvilluar një ditë më parë, kreu i shtetit, Bamir Topi, bëri të ditur se kandidatët do të shqyrtohen, krahas arritjeve profesionale, dhe për integritetin e tyre moral.
Dekretet
Presidenti i Republikës dekretoi pak kohë më parë pesë dekrete për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Miratimi i dekreteve pa u konsultuar më parë me forcat politike parlamentare, veçanërisht me maxhorancën, krijoi debate të ashpra midis institucioneve shtetërore. Gjatë seancës së ditës së hënë maxhoranca vendosi rrëzimin e 5 dekreteve të presidentit Topi, duke respektuar në këtë mënyrë dhe kërkesën e kryeministrit Berisha në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, “për t’i dhënë një mësim presidentit Topi”. Fill pas rrëzimit të dekreteve nga Kuvendi Topi ndërmori nismën për ngritjen e grupit të punës, i cili përbëhet nga juristë dhe konstitucionalistë me përvojë dhe monitorohet nga faktori ndërkombëtar. Kjo nismë e Topit do të synojë nga njëra anë përzgjedhjen e kandidatëve më të mirë dhe respektimin e legjislacionit në fuqi për këtë çështje, por nga ana tjetër, ky grup pune do të vendosë dhe garantimin e ekskluzivitetit të presidentit për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë, duke mos e lejuar maxhorancën të imponojë emra.
23 Qershor 2008