E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Zgjidhjen ta ofrojë qeveria. PD: Pa koment

Ende asnjë shenjë kompromisi. E tillë duket situata në të dy kampet kryesorë politikë në vend. Të kontaktuar nga "Shqip", përfaqësuesit e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike nuk lënë të kuptohet asnjë mundësi afrimi në një zgjidhje të përbashkët të krizës politike. Teksa socialistët ia faturojnë zgjidhjen dhe përgjegjësinë qeverisë, funksionarët e mazhorancës nuk pranojnë të komentojnë, duke u mjaftuar me thënien se "nuk janë në dijeni" të apelit ndërkombëtar.

Opozita

Deputeti socialist, Erion Braçe, reagoi dje pas deklaratave të ambasadorëve të huaj, që kërkuan impenjimin e klasës politike shqiptare për zgjidhjen e situatës aktuale. Braçe vlerësoi se opozita po jep maksimumin e saj për të zgjidhur krizën, por i takon direkt qeverisë shqiptare që ta zgjidhë atë, edhe pse është një shumicë hibride pa votat e nevojshme. "Ne po impenjohemi në maksimum, por është qeveria shqiptare ajo që nuk ka një impenjim të tillë. I takon asaj përgjegjësia kryesore, edhe pse është një shumicë hibride dhe pa votat e nevojshme. E gjithë situata, reformat e pakryera, problemet me të drejtat e njeriut etj., janë përgjegjësi e qeverisë dhe mbetet në duart e saj zgjidhja", tha Braçe. Opozita, me nismën për bojkotin dhe protestat, ka kërkuar që të hapen kutitë e dyshimta të zgjedhjeve të 28 qershorit, si e vetmja mënyrë për të vërtetuar se zgjedhjet janë cenuar nga partia në pushtet. Ndërsa mazhoranca ka mohuar kategorikisht një kërkesë të tillë, duke deklaruar se politika nuk mund të dalë mbi vendimet e gjykatës. Partitë e opozitës pritet të zhvillojnë në datën 20 nëntor protestën përmbyllëse të aksionit të tyre për hapjen e kutive të votimit.

Pozita

Partia Demokratike hesht përballë deklaratave të ndërkombëtarëve se krizën politike duhet ta zgjidhin vetëm partitë. Deputetët e selisë blu nuk kanë mundur dot dje t‘u bëjnë një interpretim politik deklaratave të ambasadorëve të vendeve të Bashkimit Europian në Tiranë. Të kontaktuar për këtë çështje, ish-ministrat, aktualisht deputetë të PD-së, Aldo Bumçi dhe Gazmend Oketa, thonë se nuk janë në dijeni të deklaratave të diplomatëve të huaj të akredituar në vendin tonë. Demokratët, përpos ftesës ndaj opozitës për të ardhur në Parlament, duket se nuk po mundin dot të artikulojnë skenarin e duhur apo planin rezervë që do ta bëjë partinë më të madhe opozitare të ndryshojë mendje.

Kryeministri Sali Berisha i ka ofruar opozitës publikisht për të disatën herë kompromisin për reformën zgjedhore dhe atë në drejtësi, me kushtin që ajo të kthehet në Kuvend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›