Patozi: Sekretarët në PD, jo ministra
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, kërkon që parimi për ndarjen e funksioneve mes partisë dhe qeverisë të shtrihet në sekretariatet dhe jo në strukturën e lartë drejtuese. I ngarkuar me detyrën e koordinatorit të zgjedhjeve të 12 dhjetorit, Patozi thekson se do të jetë Këshilli Kombëtar i ri që do të përcaktojë formulën e re të sekretariatit të Partisë Demokratike. Sipas tij, ndryshimet në statut kanë të bëjnë me përshtatjen e funksionimit të Partisë Demokratike sipas sistemit të ri elektoral dhe asgjë më shumë. Për Astrit Patozin, i cili vetë nuk mban post qeveritar, parimi për ndarjen e posteve partiake nga ato ministrore ndoshta duhet të funksionojë për sekretariatin, por jo për lidershipin e lartë të partisë, kryetarin, sekretarin e përgjithshëm dhe dy nënkryetarët. Burimet pranë PD-së theksojnë se në statutin e ri nuk do të përcaktohet ndarja e funksioneve mes atyre që drejtojnë qeverinë dhe atyre që drejtojnë partinë. "Parimi politik është që lidershipi i partisë vendos për qeverinë dhe jo e kundërta. Për shkak se një parti, kur vjen në pushtet, drejtuesit e saj zënë vend në qeveri dhe jo e anasjella", shprehet Patozi. Në kuvendin kombëtar, demokratët do të miratojnë edhe disa ndryshime në statut. "Më 12 dhjetor shkojmë drejt një procesi finalizues të zgjedhjeve të brendshme në PD pas një fitoreje elektorale më 28 qershor. Dhe, në një farë mënyre, unë pres që ky kongres të njohë rezultatin dhe të vlerësojë fitoren e PD-së në këto zgjedhje", u shpreh Patozi. Ai tha se përpara se PD-ja të nxjerrë përgjegjësitë për zgjedhjet e 28 qershorit, demokratët duhet të njohin meritën për fitoren. "PD-ja nuk kishte vënë një bast për numrat që duhet të kishte në Parlament, por kishte garë me PS-në për të vijuar apo jo qeverisjen. Ne vijmë pas një fitoreje dhe është paradoksale që në PS po kërkohet merita, kurse në PD të kërkohet përgjegjësia. Unë hyj te njerëzit që e kërkoj përgjegjësinë te vetja, por kjo nuk më pengon të them se ne duhet ta fillojmë kongresin duke marrë parasysh fillimisht meritën", nënvizoi Patozi. Më 12 dhjetor, duket se demokratët do të kenë vetëm një alternativë për liderin e tyre dhe ky natyrisht që e ka emrin Sali Berisha. Por për Patozin mungesa e një rivali, nuk do të thotë një anomali e demokracisë. "Do të ishte më mirë që të mos ketë rivalitet, sesa të shpikim rival kukull ashtu siç ndodhi në PS. Partia Demokratike nuk ka nevojë të shpikë një lakror për zgjedhjet e brendshme të saj. Zoti Berisha ka meritën kryesore për zgjedhjet e 28 qershorit", vlerësoi Patozi. Demokratët presin që kongresi të njohë fitoren e PD-së në zgjedhjet e 28 qershorit. Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, do të merret me modalitetet e garës që do të zhvillohet më 12 dhjetor, ndërsa sekretari i përgjithshëm, Ridvan Bode, do të kujdeset për ndryshimet e reja në statutin e Partisë Demokratike.
Nënkryetari i selisë demokrate, Patozi, thekson se parimi politik është se lidershipi i partisë vendoset në qeveri dhe jo e kundërta, duke lënë kështu të nënkuptohet se megjithëse ndarja e posteve nuk do të bëhet më 12 dhjetor, beteja brenda PD-së do të vazhdojë. Megjithëse duhet edhe një muaj deri në kuvendin kombëtar të Partisë Demokratike, që tani ky kuvend mund të përkufizohet si kuvendi i vazhdimësisë.
Nënkryetari i selisë demokrate, Patozi, thekson se parimi politik është se lidershipi i partisë vendoset në qeveri dhe jo e kundërta, duke lënë kështu të nënkuptohet se megjithëse ndarja e posteve nuk do të bëhet më 12 dhjetor, beteja brenda PD-së do të vazhdojë. Megjithëse duhet edhe një muaj deri në kuvendin kombëtar të Partisë Demokratike, që tani ky kuvend mund të përkufizohet si kuvendi i vazhdimësisë.