E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS akuzon Vasilin: Sekretarja e Shëndetësisë, taksidare

Ministri i Shendetesise, Petrit Vasili

Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë është taksidarja që mbledh paratë e korrupsionit për të financuar me para partinë tuaj. Këtë akuzë bëri dje në vazhdën e një sërë të tjerash, deputeti i Partisë Socialiste, Eltar Deda, i cili thirri për interpelancë në Parlament ministrin e Shëndetësisë. Ai kërkoi shpjegime nga ministri lidhur me skandalin e ndërprerjes së financimit nga BB, të bërë publik në media pak javë më parë, për favorizim të një firme në tender. Informacioni i kërkuar ka lidhje me një procedurë që ka të bëjë me lotin 2 të tenderit të Blerjes së pajisjeve mjekësore për spitalet rajonale, në kuadër të projektit të modernizimit të sistemit shëndetësor, të zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë, me vlerë referuese 1,1 milion dollarë amerikanë. Ju si ministër i Shëndetësisë dhe Komisioni i Vlerësimit, që në fillim nuk e keni pranuar ofertën e Nihon Kohden (NK), kompani prestigjioze japoneze, duke u bazuar në kritere vlerësimi, të cilat nuk janë kërkesa bazë të dokumenteve të ofertimit. Mbasi BB ju ka komunikuar, nëpërmjet audiokonferencës, arsyet e shpalljes së kësaj kompanie, ju keni vazhduar të heshtni dhe, në të njëjtën kohë, gati afër përfundimit të afateve, keni urdhëruar të mblidhet Komisioni i Vlerësimit të Ofertave dhe të vijë mbas tre muajsh zhdukje nga institucioni i punës kryetarja e këtij komisioni (sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë tuaj, të cilën ju nuk jini në gjendje ta urdhëroni sepse është taksidarja juaj, tha Deda.
Ai shtoi se do të ishte e papranueshme të mos reagohej për të sqaruar opinionin qytetar për korrupsionin e pastër dhe dëmin që i është bërë shtetit, i cili arrin deri në 1.1 milion dollarë.  Ministri Vasili shpjegoi gjithë procedurën e ndjekur dhe iu përgjigj deputetit të Partisë Socialiste duke theksuar se po tenton të mbrojë kompani anonime, të cilat falsifikojnë dokumente. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave mori në shqyrtim ofertat e 4 ofertuesve të mbetur. Për firmën Nihon Kohden, KVO mbajti të njëjtin qëndrim. Banka Botërore, me e-mail-in e saj të datës 6 qershor 2011, përsëri paraqiti objeksionin për skualifikimin e Nihon Kohden. Me qëllim sqarimin e plotë të situatës, KVO kërkoi informacion në institucionet shtetërore. Nga verifikimet në organet tatimore rezultoi se aktiviteti i kësaj kompanie gjatë tri viteve të fundit ishte zero e po kështu numri i punonjësve ishte zero. I gjithë informacioni zyrtar që vërtetonte plotësisht deklarimin e rremë bërë nga NK, iu bë me dije Bankës Botërore, tha Vasili.

Vlerësimi i ofertave
Kompania e parë Schiller, me përfaqësues në Shqipëri MEDFAU, me ofertën më të ulët (899 mijë USD), mbas konsultimeve të BB u quajt e papranueshme. Kompania e dytë, Nihon Kohden, japoneze, ishte me një ofertë 17 mijë USD më të shtrenjtë se e para, por që kishte pikërisht ato specifikime të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe bazuar në marrëveshjen me BB. Kompania e trete, Montal, ishte një kompani vendase, e cila nuk përmbushte specifikimet e duhura. Kompania e katërt ishte kompania Philips, e cila kishte një ofertë 600 mijë USD më të shtrenjtë, por që kjo i plotësonte të gjitha kushtet specifikuese, veç çmimit më të lartë. BB kërkoi të shpallej fituese kompania japoneze.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›