E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS dosje në prokurori: Ekzistojnë rreth 21.000 dublime

Nënkryetari i grupit parlamentar të socialistëve, Saimir Tahiri, dorëzoi dje dy kallëzime penale në Prokurorinë e rrethit Gjyqësor Tiranë. Një padi, tha Tahiri, është për ndjekjen penale të drejtuesve dhe punonjësve të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile në Ministrinë e Brendshme dhe një tjetër për tre drejtuesit e njësive vendore. Padia për tre drejtuesit e njësive vendore, Ilir Kokona, Luzhiana Abazi dhe Blend Fuga, theksoi në deklaratën e tij Tahiri, kërkon ndjekje penale për të tre këta shtetas. Kjo bëhet pasi ata akuzohen për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh të rezultatit zgjedhor, si dhe për shkeljen e të drejtës së zgjedhësve. Në kallëzimin për drejtorinë e gjendjes civile thuhet se “PS, që nga momenti i publikimit të listave paraprake, konstatoi ekzistencën e 26.000 dublimeve, duke e ngritur këtë problem në mënyrë të vazhduar para të gjithë faktorëve të vendit dhe atyre të huaj. Pavarësisht apelit dhe investimit publik e institucional të PS, për të kryer verifikimet, saktësimet dhe fshirjen e nevojshme të dublikimeve në listat paraprake, rezulton se në listat përfundimtare të zgjedhësve ekzistojnë rreth 21.000 dublime në njësi të ndryshme vendore në shkallë vendi”. PS pretendon se janë shtuar në këtë listë një numër prej rreth 1000 personash, që nuk kanë figuruar në listën paraprake. Sakaq, një numër prej rreth 5500 personash rezultojnë se nuk kanë Qendër Votimi të përcaktuar në listën përfundimtare të zgjedhësve. Sa i takon minibashkisë nr.3 në Tiranë, PS pretendon se: 61 votues të regjistruar në këtë njësi, pas datës 8 mars 2011, ndërsa votues të shtuar në listat përfundimtare janë 120 persona. Rezulton nga të dhënat e PS se 70 persona nuk përputhen me kodin e banesës sipas listës përfundimtare të zgjedhësve. 13 votues që nuk gjenden në kodin e banesave të vendosur në listën e zgjedhësve. Sakaq, 20 votues të ardhur, të cilët nuk kanë kod banese të pasqyruar në listën përfundimtare, çka do të thotë se ata ose nuk kanë bërë kontratën përkatëse për disponimin e një banese ose kanë bërë një kontratë të falsifikuar apo fiktive. PS thotë se në këtë njësi figurojnë votues të hequr nga lista paraprake gjithsej 164 persona ndërsa 121 Persona që mendohen se nuk gjenden të regjistruar në listat përfundimtare të zgjedhësve të 08.05.2011. Në njësinë bashkiake nr.6 në Tiranë pretendohet nga PS se janë shtuar 580 votues mbas daljes së listës paraprake. Nga këta 388 janë me transferim të gjendjes civile, ku në shkelje të hapur të nenit 52 të Kodit Zgjedhor, janë 237 raste pas datës 8 mars 2011. “Një nga rastet më flagrante është ai i QV nr.1865, ku ndryshime janë shumë të dukshme dhe konkretisht janë 62 persona të shtuar nga të cilet 51 me transferim, dhe 43 prej këtyre të fundit mbas datës 8 mars”, thuhet në kallëzimin e PS. Pretendimet e opozitës për minibashkinë nr.10 kanë të bëjnë me faktin se listat paraprake Nëntor 2010 kishin 156 dublime. “Nga verifikimet në listën përfundimtare të muajit Prilli, janë sërish 148 dublime, një pjesë e konsiderueshme e tyre janë dublimet e vjetra të papastruara, pavarësisht njoftimit zyrtar të protokolluar. U verifikuan në sistem se 53 votues janë shtuar mbas datës 8 Mars. Rasti më flagrant është se 39 votues nuk rezultojnë të regjistruar në asnjë QV duku i hequr ne këtë mënyrë të drejtën e votës”, pretendon PS. Selia rozë insiston se nga 261 të shtuar në periudhën nëntor 2010 – prill 2011, një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk janë banorë të njësisë 10, por janë bartur aty me banesa fiktive.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›