E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Mos u trembni! Vota është fuqia juaj

Edi Rama e nisi dje fushatën me një takim elektoral në minibashkinë numër 7 në Tiranë, ku sëbashku me kandidatin Erjon Koka bashkëbisedoi me banorë të zonës. “Saliu ka përgjegjësi që i ka lënë njerëzit rrugëve pa punë, që e ka bërë padrejtësinë, sistem. Vota është fuqia jonë”, tha Rama, sipas të cilit po bëhen përpjekje të dëshpëruara për të trembur njerëzit. “Askush nuk duhet të trembet, vota është fuqia që ka njeriu i zakonshëm në demokraci”, theksoi Rama. Më tej, kryesocialisti prezantoi në Durrës së bashku me kandidatin socialist Vangjush Dako, planin e së ardhmes së qytetit. Rama theksoi se ishte i impresionuar nga prezantimi i projektit, i cili bazohet në argumente zhvillimi dhe jo premtime elektorale. “Është i madh hendeku mes rrugës sonë dhe rrugës së Saliut. Është e thellë diferenca në krijimin e modeleve të zhvillimit. Detyrimi ynë parësor është të shohim të nesërmen me forcën e pasionit. Kryeministri sorollatet në Shqipëri. Kryeministri është krenar për asfaltin e shtruar në Bashki e komuna. Ky asfalt është detyrimi minimal, por ata nuk kanë model zhvillimi, as në nivel vendor e as kombëtar”, u shpreh Rama. Realitetet tona vendore janë rrugë zhvillimi, sqaroi ai, realitetet e tyre pa ngjashmëri me ne, realitetet e tyre tregojnë pse nuk duhen votuar. Në vlerësimin e Ramës, Saliu nuk është në gjendje të tregojë, qoftë edhe një model të pranueshëm. “Sot në Tiranë e në Durrës, e kudo ne jemi në gjendje të flasim për plane strategjike të integruara. Masterplane në transport, kujdesin social, zhvillimin urban, ku i ka Saliu masterplanet? Sensi i zhvillimit të Saliut është kuturu. Ai nuk llogarit pasojat”, u shpreh Rama. Rruga e “Aleancës për të Ardhmen”, sipas Ramës, është rruga e zhvillimit të qëndrueshëm në të gjitha fushat. “Çdo ditë Shqipëria humbet hektar në pyje, humbet territore në plazhet e saj, humbet tokën bujqësore. Kjo tokë bujqësore që është një pasuri e madhe përditë bëhet më e pakët. Do zhvillojmë tokën bujqësore me prioritete të mirëpërcaktuara. Do hyjmë në tregun rajonal dhe europian falë cilësisë. Rruga jonë, zhvillim i qëndrueshëm”, nënvizoi Rama. Teksa prezantoi kandidatin e koalicionit opozitar në komunën e Golemit, Agron Agalliu, Rama insistoi se në datën 8 maj do të fitojë komuniteti. “Më 8 maj, votoni t’i themi kurrë më Berishës”, theksoi kreu i socialistëve. Duke shpalosur programin në të cilën qeverisja do të jetë më e denjë, e për ti thënë në të njëjtën kohë kurrë më korrupsionit, Rama tha se fitorja në këtë datë, do të jetë e njerëzve të zakonshëm. Në orët e pasdites së djeshme, kreu socialist u ndal në një takim në lagjen “5 Maji” të qytetit të Elbasanit. “Vota për Qazimin më 8 maj është një votë për të shkuar përtej asaj që kemi sot, është një votë për të realizuar jo vetëm më shumë punë”, u shpreh Rama. Sali Berisha, vijoi ai, nuk tregon dot një qytet apo një komunë, ku të shpjegojë se modeli i tyre është më i mirë se modeli ynë. “Në çdo komunë e bashki që qeveris Saliu ka vetëm kaos, shpenzo dhe shpërdoro sa të mundesh, me qëllimin për të marrë votat. Qeveria duhet të përgjigjet për disa çështje të tjera, Saliu duhet t’i përgjigjet qytetarëve se pse sot në këtë vend të vogël ka 1 milion të papunë. Ata nuk kanë një model zhvillimi ekonomik”, theksoi Rama. Duke u ndalur te posterat e vendosura në rrugë, Rama e cilësoi Durim Hushin si zhgarravitës rrugësh, duke thënë se “pretendon që të kërkojë mbështetjen tuaj, pasi ka zhgarravitur vetveten, të gjithë ata që ia kanë dhënë votën dhe e kanë çuar disa herë në parlament për arsyet 100 për qind të kundërta, me ato që ia kërkon votën përsëri”. Vota e Durimit është e hedhur kot, u shpreh Rama, sepse nuk ka më durim, durimi ka sosur, dhe është koha për t’i thënë Saliut se s’ka Durim, dhe kurrë më me këtë politikë që rrotullohet e rrotullohet dhe ua ka bërë njerëzve jetën tamam si një cirk.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›