Berisha: Duam votën që t’u japim përgjigje problemeve
FIER- Nga qyteti i Fierit, ku prezantoi kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Ilir Bele, Kryeministri Sali Berisha ka premtuar se ky koalicion është e vetmja alternativë për ndryshim. Berisha e cilësoi fushatën elektorale të zgjedhjeve të 8 majit të rëndësishme, pasi ka pasur mundësinë të njihet me problemet dhe idetë e qytetarëve të të gjithë Shqipërisë. “Kjo fushatë, siç do fushatë tjetër, ka qenë dhe mbetet një nga universitetet më të mëdha të jetës time, për të njohur dhe mësuar idetë tuaja, besimin dhe përkushtimin tuaj”, - tha Berisha. Kryeministri i vendit premtoi se qeveria do të mund t’i përgjigjet gjithë problemeve që ato kanë, ndërkohë që premtoi zgjidhje për problemin e punësimit në vend, duke akuzuar opozitën se nuk e njeh këtë praktikë. “Ne duam votën tuaj, që t’i japin përgjigje problemeve tuaja, si punësimi, pasi asgjë nuk bëhet me pasion më të madh sesa punësimi juaj dhe këto politika opozitarët nuk i njohin”, - tha ai. Ndërkohë, Berisha vijoi dje takimet elektorale në Peshkopi, ku paraqiti alternativën për qytetarin dhe shprehu mbështetjen për kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin” Ilir Krosi. Berisha garantoi qytetarët e Dibrës se do të mbështesë çdo projekt për zhvillimin e Dibrës. “...Ju bëj thirrje të votoni të gjithë më 8 maj, të votoni kandidatët e alternativës për ju, të alternativës për qytetarin, sepse për ne, ju jeni të parët, fëmijët tuaj janë të parët, familjet tuaja janë të parat, Dibra është e para, Shqipëria është e para”, - tha dje Berisha. Kryeministri i vendit premtoi një jetë më të mirë për minatorët në takimin tjetër që ai zhvilloi me banorë të Bulqizës, teksa prezantoi kandidatin e koalicionit të mazhorancës, Roland Keta. “Kryetari juaj i bashkisë ju informoi ju, se ne kemi vendosur tua kthejmë ju edhe një pjesë të mirë të djersës që derdhni ju për vete dhe shqiptarët. Renta prej 450 milionë është disbursuar për komunitetin tuaj. Do të shkoj pak më tej, zoti kryetar, rentën do tua përkushtosh totalisht minatorëve dhe vetëm minatorëve, të gjitha problemet e tjera do t’i përballojmë me fondet e qeverisë, me fondet e bashkisë. Kur them tua kushtojmë minatorëve, unë them që të ndërtojmë një ambient, një lokal të posaçëm për ta. Për pensionistët, për minatorët, kërkojmë që në shkollat ku mësojnë fëmijët e tyre, duke filluar nga viti i ardhshëm t’u ofrojmë ushqim...Premtimi tjetër ishte ulja e moshës së pensioneve, rritja e pensioneve të minatorëve”, - premtoi Berisha. Kryeministri shprehu gjithashtu mbështetjen për një tjetër kandidati të koalicionit “Aleanca për qytetarin”, teksa u ndal në Klos.