E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS dy kallëzime në Prokurori për zgjedhjet

Deputeti Armando Subashi, sqaroi para gazetarëve dy kallëzimet, ku i pari sipas tij, ka të bëjë me listat e zgjedhësve.

“Është shumë e qartë që me daljen e listës paraprake nga verifikimi dhe kontrolli që ne i bëmë asaj liste konstatuam një sërë mangësish dhe të metash që ajo kishte.  Nga gjithë përpunimi që ne i bëmë listës përfundimtare të zgjedhësve rezultoi që, së pari në të gjithë Shqipërinë kishte rreth 21 mijë dublime të pastra dhe të fshehta. Nga këto rreth 5300 prej tyre rezultojnë të jenë vetëm në Bashkinë e Tiranës. Për të qenë pak më konkret në shifra, rreth 1096 janë dublime të pastra, ç’ka do të thotë që në dy qendra votimi brenda Bashkisë së Tiranës figuron si votues i njëjti person”, theksoi ai.

Fakti i dytë sipas tij, që tregon manipulimin e zgjedhjeve, ka të bëjë me krijimin e  krijimin e personave të rremë, ose familjeve të rreme. “Në listë ka familje të tëra të cilat në realitet nuk ekzistojnë, por në listën e zgjedhësve gjenden me shumicë. Ju keni përpara në dokumentet që ju kemi servirur një fletë nga gjithë ai material i madh që ne disponojmë lidhur me këtë problem dhe unë për arsye etike në fakt nuk do doja ta përmendja këtë familje, por po të shikoni ilustrimet që ju kemi vënë përpara rezulton që një familje e vërtetë e përbërë prej 4 persona pra dy bashkëshortët dhe dy fëmijët, e cila realisht ka qenë  e regjistruar në vendbanimin e vet origjinal, kur ka ardhur dhe është regjistruar në Tiranë, më saktë në Paskuqan, kjo familje nga 4 është bërë me 8 persona”, shtoi ai.

Deputeti Subashi sqaroi se në kallëzimin e bërë përfshihet edhe votimi i emigrantëve. “Ne disponojmë lista të sakta të emigrantëve sidomos në Bashkinë e Tiranës, të cilët nuk kanë qenë prezent në ditën e votimit por nga të gjitha raportimet e komisionerëve tanë rezulton që një pjesë e tyre të kenë votuar”, shtoi ai.

Deputeti socialist sqaroi edhe kallëzimin e dytë të bërë në Prokurori, i cili ka të bëjë me rezultatin e Tiranës. “Në fakt ishte një vjedhje dhe manipulim i hapur në sytë e të gjithë opinionit publik ajo çka ndodhi me qendrat e votimit, me fletët e votimit, me kutitë e votimit në Bashkinë e Tiranës dhe sigurisht që ne në fakt na u mohua e drejta që këtë debat të mirëfilltë ta bënim përpara gjykatës. Qoftë KQZ, qoftë gjykata u munduan t’i shmangen kësaj të vërtete, duke u fshehur pas procedurave ligjore dhe i takon tashmë prokurorisë që ta zbardhë gjithë këtë vjedhje dhe manipulim të madh që është bërë në Tiranë”, u shpreh gjithashtu. Deputeti Subashi kërkoi nga prokuroria hetime për kallëzimet e bëra. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-07-22 17:41
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›