E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS e LSI, garë cila do të marrë çmimin si partia më matrapaze

Dega e LSI në Berat ka deklaruar divorcin me Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe bashkimin me ato forca që punojnë për të ardhmen e vendit. Gjatë një takimi në ambientet e Pallatit të Kulturës në Berat, kreu i kësaj dege Roland Bejko është shprehur se një vendim i tillë vjen pasi zhvillimet e fundit brenda kampit të LSI nuk janë aspak koherente, ndërsa ka nisur një gjueti ndaj njerëzve me kontribute në LSI, vetëm e vetëm, se paraqesin mendimin ndryshe. “Duke pare se “de facto” jemi anashkaluar me dashje dhe koshiencë të pastër për të kënaqur oreksin e njerëzve pranë kryesisë qëndrore të cilët nuk i lidh asgjë me LSI, por vetëm interesi i momentit”, theksoi Bejko. Ai vuri në dukje se përkushtimit dhe idealizmit të anëtarëve të LSI-së, u është hedhur baltë pa asnjë shkak dhe motiv madhor. “Shikojmë se brenda radhëve të LSI-së si në qendër dhe në bazë dominon herë pas here mllefi, inati dhe aspak tolerancë për zhvillimet e ndryshme politikë shikojmë shkelje të statutit në përzgjedhje të kandidaturave në çdo nivel ku strukturat e LSI-së në bazë luajnë thjesht rolin e manekinit gjë që tregon për një pseudodemokraci të brendshme. Si përfundim në këtë kontekst duke pasur përkrahjen e shumë anëtarëve simpatizantëve e të zgjedhurve lokalë, që e kanë mbështetur qëndrimin tonë konkludojmë, se largohemi duke u distancuar nga të gjitha strukturat e LSI, por duke ngelur pjesë e politikës. Do atashohemi dhe kontribuojmë në ato forca që aspirojnë për prosperitet dhe që kanë vizion të qartë për demokraci, dhe të ardhmen e Shqipërisë”, vuri në dukje ndër të tjera ai. Ndërkaq, nga ana tjetër, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Me anë të Sekretarit të Pergjithshëm të LSI-së, Petrit Vasili, ka akuzuar PS-në për matrapazllëqe dhe se përdor shoë-n mediatik në një moment qe situata flet ‘pro’ LSI-së. “LSI informon opinionin publik se këshilltarët e LSI në Berat, Lonik Cuedari, Luan Buba dhe Zana Ago denoncuan përpjekjet e kryetarit të Partisë Socialiste në Berat, Selman Hodo për të blerë me oferta të ndyra dhe duke ofruar favore personale e deri edhe para, që këta këshilltarë të LSI-së të bëheshin pjesë e një skenari kundër LSI në Berat, e cila është në proçesin e përgatitjeve të zgjedhjeve që do të mbahen të shtunën sipas parimit një anëtar një votë”, tha Vasili, duke shtuar se “nuk është rastësi që të tmerruar nga rrjedhjet e mëdha që po i ndodhin PS drejt LSI-së, lidershipi i PS kërkon që me makinacione të tipit mediatik kërkon të krijojë një imazh të kundërt e të fshehë daljen jashtë kontrollit të situatës brenda vetes”. Ai akuzoi kreun e PS, Rama se me keto metoda po i vjen në ndihmë vetë, Berishës. “Nuk është rastësi as edhe që, sa herë që Berisha është në vështirësi të mëdha në raport me vendin, në raport me ligjin dhe institucionet e pavarura, por edhe në raport edhe me vetë partinë e tij, lidershipi i Partisë Socialiste provokon probleme dhe tensione e përçarje brenda opozitës”, u shpreh Vasili duke shtuar se priten mbi 1 mijë anëtarë të rinj në radhët e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›