E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urgjenca për arritjen e konsensusit për dekretet e reja

Pas rrëzimit në Kuvend të pesë dekreteve presidencialë për emërimin e anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë çështja kthehet sërish në pikënisjen e saj, në institucionin e Presidencës. Në këtë institucion do të rinisin procedurat për plotësimin e pesë vendeve vakante në organin më të lartë të gjyqësorit shqiptar. “Kuvendi është në pritje të emërimeve të reja nga Presidenti, ndërkohë që përzgjedhja e emrave nga ana e Kreut të Shtetit duhet të kalojë përmes konsultimesh më të gjera se ato të ndjekura për emërimet tashmë të rrëzuara”. Sipas ekspertëve, në propozimet për gjyqtarët e rinj të Gjykatës së Lartë Presidenti duhet të udhëhiqet nga neni 136 i Kushtetutës, pika 1, në të cilën thuhet qartë se “anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës, me pëlqimin e Kuvendit”. Thuajse me të njëjtën përmbajtje edhe në nenin 4 të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë” përcaktohet se “gjyqtari i Gjykatës së Lartë emërohet nga Presidenti i Republikës, pasi është marrë më parë pëlqimi i Kuvendit”.
Mungesat në trupën e Gjykatës së Lartë duhet ta shtyjnë Presidentin për të sjellë pa vonesë dekretet e reja, në mënyrë që miratimi i tyre të kryhet para përfundimit të këtij sesioni parlamentar. Përsa i takon pesë kandidaturave të rrëzuara, specialistë ligjorë pohuan se Presidenti i ka sjellë dekretet në Kuvend në limitet e fundit kohore (12 maj), ndërkohë që mandatet e katër anëtarëve të Gjykatës përfunduan më 21 maj, ndërsa mandati i kryetarit përfundoi më 6 qershor. Ligji i lejon Presidentit që të nisë përzgjedhjen e kandidaturave për anëtarë në këtë organ të gjyqësorit 30-45 ditë para mbarimit të mandatit të gjyqtarëve në detyrë. Mbrëmjen e së hënës, pra me 16 qershor, u krye procesi i votimit të fshehtë, duke konfirmuar se nuk është Kuvendi organi që vonoi shqyrtimin e dekreteve e as që po bllokon punën e Gjykatës së Lartë, por është tashmë një imperativ i këtij institucioni dhe institucionit të presidencës që duhet të përshpejtojnë fazat për të sjellë sa më shpejt në Kuvend emrat e rinj për në Gjykatën e Lartë.
Gjinushi, i vonuari i komunizmit që u vonua edhe në komentimin e votës parlamentare për dekretet/Kryetari i Partisë Socialdemokrate Skënder Gjinushi, ka kuptuar dje se janë rrëzuar dekretet e Presidentit të anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe ka reaguar kundër këtij vendimi. Në pamundësi të theksuar për t’u përshtatur me zhvillimet aktuale politike dhe me kontribut të papërfillshëm në politikë gjatë plot dy dekadave, që nga regjimi komunist, Gjinushi po ndjen keqardhje për mosemërimin e propozimeve të Presidentit të Republikës, pavarësisht se njëri ndër anëtarët e propozuar ka një të kaluar të thekur nga regjimi komunist. Megjithatë dje Gjinushi është shfaqur në rolin e një moderatori, duke theksuar se janë të parëndësishme deklaratat jashtë sallës së Kuvendit, duke aluduar se Partia Demokratike kërkon një gjykatë politike për të mbrojtur korrupsionin e saj. “Kandidatura e z. Poda ka fituar dhe kuvendi njeh rezultatin e shpallur në seancë plenare. Deklaratat jashtë sallës nuk kanë asnjë vlerë juridike. Vendimin mund ta ndryshojë vetëm gjykata”, tha Gjinushi. Sipas tij, votim i dekreteve tregon thellimin e krizës insitucionale, e cila sipas tij është pasojë e krizës ekonomike në vend.
PS s’fsheh dot dështimin parlamentar, drejton silurat e shpifjeve kundër kryeparlamentares/Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, përmes zëdhënëses së saj, iu përgjigj dje akuzave të drejtuesve të PS-së ndaj saj, duke i cilësuar ato shpifje dhe trillim. Gjatë një konference për shtyp, zëdhënësja e Kryetares së Kuvendit, Suela Ruseti, reagoi ndaj deklaratave të nënkryetarit të Grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe. Ky i fundit tha se “znj. Topalli ka fshehur dokumente që provojnë dijeninë e Kryeministrit Sali Berisha për procesin e demontimit që zhvillohej në fabrikën e Gërdecit”. “Çdo raport i ardhur nga Prokuroria i është vënë në dispozicion të gjithë anëtarëve të Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve. Nuk ka asnjë dokument që të faktojë se Kryeministri i vendit ka qënë i informuar apo ka pasur dijeni për Gërdecin. Kjo është konfirmuar dhe nga Ministria e Mbrojtjes në një njoftim për shtyp pak kohë më parë”, tha zëdhënësja Roseti. Sipas saj, raporti i Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet, i paraqitur në seancën plenare të 16 qershorit, përcakton qartë dhe me përgjegjësi të plotë ata që kanë pasur dijeni apo informacion për këtë çështje. Zëdhënësja Ruseti shtoi se “dosjet e ardhura nga Prokuroria janë të hapura për çdo deputet që interesohet të dijë të vërtetën”. Vetëm pak orë më parë Braçe kishte deklaruiar se zotëronte fakte të pakundërshtueshme sipas së cilave kreu i qeverisë shqiptare zotëronte informacione të sakta për demontimin e armëve në Gërdec.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›