PS e Vlorës fshikullon premtimet për punësimin: Votoni 29-ën
Deputeti i Partisë Socialiste për qarkun e Vlorës, Fatmir Toçi, u ka bërë thirrje mbështetësve të opozitës të mos çoroditen nga sekserët e partive të vogla që premtojnë punësim në shkëmbim të votave.
Po shohim se në të gjithë Vlorën, sidomos në zonat rurale, ka një lukuni kandidatësh e sekserësh të tyre, parti familjare, parti fisesh, deputetë apo kandidatë të varur e të pavarur, të cilët po shkojnë familje më familje me premtime që dalin jashtë moralit të një fushate të ndershme, jashtë kufijve të përcaktuar qartazi edhe nga Kodi Zgjedhor.
Premtimet e tyre nuk ndalin vetëm te pakot me ushqime dhe zarfet me lekë, por shkojnë deri te shënimet në fletë të bardha me laps në dorë.
Ndalojnë njerëz rrugës duke thënë: Ku do të punosh ti nesër? Ne jemi të sigurt, do marrim kaq apo aq deputetë. Apo duke thënë madje se fati i parlamentit shqiptar varet nga fati këtij apo atij.
Padyshim, popullsia e Vlorës i ka përcjellë me humor dhe Vlora di se si voton. Unë jam këtu për ti bërë thirrje të gjithë vlonjateve dhe votuesve tanë: të votojnë Partinë Socialiste, e vetmja që ka një program qeverisës jo thjesht një program elektoral apo premtime siç kanë forcat e tjera politike!, ka përfunduar Toçi një deklaratë për shtyp nga Vlora.