E Enjte, 5 Nëntor 2026

PS feston 33-vjetorin, Klosi: Ia kemi dalë të jemi pranë njerëzve të zakonshëm

TIRANË, 12 qershor/ATSH/ Partia Socialiste festoi sot 33-vjetorin e themelimit në një festë që u organizua në selinë rozë.

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i PS-së si dhe anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë, figura me kontribut në PS, e simpatizantë të kësaj force politike u mblodhën bashkë në këtë 33-vjetor të partisë.

“Rroftë Partia Socialiste”, u shpreh Rama, duke uruar 33-vjetorin e PS-së.

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, tha se sot PS është më e fortë se kurrë dhe gati për të fituar shumë gara elektorale.

“Mirëserdhët në festën e partisë së madhe, që ka dëshmuar, siç është sot një bashkim i themeluesve, por dhe shumë të rinjve që janë bashkuar ndër vite. Sot në këtë festë vijmë më të fortë se kurrë, me shumë arritje se ia kemi dalë të jemi pranë njerëzve të zakonshëm të Shqipërisë. PS vjen e fortë, e përgatitur për të fituar shumë gara të ardhshme elektorale”, tha Klosi.

Të pranishmit mbajtën po ashtu një minutë heshtje për ish-kryetarin e Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, i cili u nda sot nga jeta për shkak të një sëmundjeje të rëndë.

Ky 33-vjetor e gjen PS në një proces rienergjizimi, falë së cilit u anëtarësuan 32 mijë anëtarë të rinj.

Nga procesi i rienergjizimit rezulton se PS-së ka 93 mijë anëtarë të regjistruar dhe të identifikuar si të tillë në territorin e Republikës së Shqipërisë, pa llogaritur 7 mijë të tjerë që i janë bashkëngjitur PS-së pas mbylljes së këtij regjistrimi i cili u bë në funksion të zgjedhjeve për delegatët e Kongresit.

Në 20 korrik, PS do të mbajë Kongresin Zgjedhor për t’u përgatitur për një mandat të katërt në qeverisje. /m.m/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›